Minatori i mbijetuar: Shpërthimi, kur u ndez ventilatori i ajrimit

Agim Përkola, minatori i plagosur, në spitalin e Burrelit
Agim Përkola: Ishte një Gërdec i dytë. Niveli i gazit, i lartë pas shpimit në thellësi të pusit
Një nga minatorët e plagosur pas shpërthimit të djeshëm në minierën e kromit Bulqizë është Agim Përkola. Babai i pesë fëmijëve ka punuar si minator prej 26 vitesh në minierën e qytetit të lindjes. Ai është transportuar nga spitali i qytetit të Bulqizës për në atë të Burrelit, pasi shërbimi në këtë qytet është shumë herë më i mirë. Në rrëfimin e tij, ai thotë se ka përjetuar çastet më të vështira në jetën e tij. Ishte një Gërdec i dytë, shprehet Përkola, teksa nuk i ndal falënderimet për mjekët e qytetit të Burrelit. Megjithëse në gjendje jo të mirë shëndetësore për shkak të frakturave në këmbë, krah, brinjë dhe dëmtime në mëlçi e pjesë të tjera të trupit, ai pyet për kolegët e shtruar në Tiranë, Peshkopi e Bulqizë. Ka mësuar lajmin e vdekjes së Naim Shytit, por frikësohet se edhe gjendja e kolegëve të shtruar në Spitalin Ushtarak është e rëndë. Përkola jep një tjetër fakt që nuk pohohet nga ACR: atë të nisjes së punës në prodhim, ndonëse nga ana e METE-s ishte pezulluar aktiviteti në minierë deri në plotësisimin e kushteve. Sipas të mbijetuarit, prej 4 ditësh ishte ndalur puna për vendosjen e ventilatorit të dytë të ajrimit.
Kur e nisët punën ditën e djeshme?
Si çdo ditë, rreth orës 07:00 mbërritëm te gardërobat tona dhe u veshëm. Prej katër ditësh, puna në frontin tonë ishte ndërprerë. Unë dhe kolegët e mi ishim caktuar me detyrë për të vendosur një ventilator tjetër në nivelin 16, pasi gazmatësi kishte konstatuar se niveli i gazit ishte rreth 2 për qind, shumë më i lartë se përqindja e lejuar për të punuar.
Kush ju kishte urdhëruar të mos punonit në frontin e prodhimit të minierës?
Drejtuesit e minierës, sapo kishin mësuar se sasia e hidrogjenit ishte e lartë, kishin urdhëruar që të vendosej një ventilator i dytë, pasi ekzistuesi nuk po e pastronte ajrin në këtë nivel.
E mbani mend ngjarjen?
Po. Unë dhe shtatë kolegë të mi kemi qenë afro 200 metra larg vendit ku ishte qendra e shpërthimit. Naim Shyti dhe një punëtor tjetër po merreshin me vendosjen e tubave të ajrimit pranë ventilatorit të dytë. Ata ishin direkt pranë llavës. Ishin në përfundim të punimeve. Naimi po lidhte tubat e ajrimit dhe vuri në punë ventilatorin kur ndodhi ngjarja e rëndë.
Çfarë patë në ato momente?
Ka qenë një shpërthim që nuk e kam përjetuar në jetën time. Unë kam punuar zjarrmëtar prej 26 vjetësh dhe nuk kam parë në jetën time një ngjarje të tillë. Ishte një Gërdec i dytë. Shpërthimi mori përpara gjithçka. Megjithëse ishim 200 metra larg, pamë teksa shembeshin mbajtëset e galerive dhe gurë. U zvarritëm sa mundëm dhe ja që tani jemi gjallë.
A kishit urdhër për të punuar në atë front?
Katër ditë më parë konstatuam se përqindja e gazit ishte e lartë, nga 0.5 për qind, ajo arrinte në 2 për qind. Prej ditësh po kryhej shpimi me sondë nga niveli 16 në atë 20, për ti paraprirë hapjes së pusit. Si duket, puna për shpimin me sondë bëri që sasia e gazit që vinte nga thellësia e mëtejshme e nëntokës të rritej. Katër ditë më parë, drejtuesit e minierës dhanë urdhër që të ndalej puna në prodhim dhe të montohej një ventilator tjetër. Unë kam përvojë të gjatë në minierë dhe nuk mund të nisja punën pa urdhrin e eprorëve.
Jeni marrë në pyetje për ngjarjen?
Disa kolegë të mi janë dërguar në spitalin e Peshkopisë me urdhër të prokurorëve. Me siguri po tentohet mbyllja e ngjarjes, siç ka ndodhur edhe në raste të tjera. Unë jam i vendosur të tregoj vetëm të vërtetën.
femijet
Gjendje e tensionuar ka qenë gjatë gjithë ditës dje në korridorin që të çon drejt sallës së reanimacionit pranë Spitalit Amerikan nr.1. Dhjetëra familjarë thuajse e kishin bllokuar këtë zonë dhe çdokush që dilte nga salla me bluzë të bardhë, kërkonte llogari mbi shëndetin e tre minatorëve. Por ndërsa familjarët në Tiranë morën shpresa për jetën, Bulqiza ka mbetur e shokuar.
Ndërsa i gjithë qyteti i vogël dhe media ziente nga lajmi tragjik për vdekjen e punëtorit të ajrimit në minierë, Naim Shyti, duket se familja e tij e ka marrë vesh e fundit. Bashkëshortja e tij është informuar shumë vonë, ndërsa dy fëmijët e viktimës, njëri në klasën e shtatë dhe tjetri në klasën e tretë, kanë vijuar normalisht mësimin pranë shkollës së qytetit. Asnjë prej mësuesve nuk ka pasur dot guximin që tu thotë këtyre fëmijëve për humbjen e babait të tyre.
specialistet
Në thellësitë e nëntokës ka sasi të mëdha të gazit metan, i krijuar nga shpërbërja e mbeturinave bimore. Specialistë të minierave sqarojnë se nga zbërthimi i metanit (me formulë CH4) çlirohet hidrogjen. Në thellësitë e minierës, ku ka prani të konsiderueshme gazi, specialistët kryejnë në mënyrë të vazhdueshme matjet e hidrogjenit, për të krijuar një sistem ajrimi brenda normave të lejueshme.
kreu i ps
Kreu i PS-së, Edi Rama, vizitoi dje minatorët e plagosur në minierën e Bulqizës. Teksa ngushëlloi familjen e minatorit të vrarë dhe më pas uroi shërim sa më të shpejtë për të plagosurit, Rama shprehu solidaritetin sipas tij për të gjithë skllevërit e korrupsionit qeveritar në Bulqizë. Kreu i opozitës garantoi bulqizakët se me të ardhur në qeveri Aleanca për të Ardhmen, do të bëjë drejtësi për të gjitha plagët e tmerrshme të korrupsionit shtetëror.
Lajmi: Shpërthim në minierë, 1 i vdekur

Minatoret duke nxjerre koleget e tyre te plagosur dje ne miniere
Një minator humbi jetën dhe 8 të tjerë plagosen rëndë nga shpërthimi i gazit në minierën e kromit në Bulqizë. Ngjarja fatale ndodhi paraditen e djeshme, në nivelin 16 të pusit nr.2. Viktima është Naim Shyti, 39 vjeç, i cili ishte pjesë e minatorëve protestues për 3 muaj me radhë. Shpërthimi ka ndodhur në rrethana të pasqaruara nga grupi hetimor dhe ekspertët po punojnë për të zbuluar momentin kur gazi përfshiu minatorët. Ngjarja u shënua pak kohë pasi nëntë minatorë ishin porositur të kryenin punime në thellësitë e minierës. Si rezultat i rrjedhjes së gazit metan, janë helmuar dhe kanë pësuar djegie 9 punëtorë, të cilët në momentin e ngjarjes kanë qenë duke punuar në këtë nivel, bëri të ditur Policia. Megjithëse gjendja ka qenë kritike, drejtuesit e minierës dhe vetë minatorët kanë arritur të menaxhojnë situatën. Fillimisht janë nxjerrë nga galeritë 7 nga nëntë minatorët e aksidentuar në thellësitë e nëntokës. Janë vënë në funksionim ashensorët dhe mjetet e tjera të minierës, duke mundësuar nxjerrjen nga nëntoka të minatorëve, të cilët u dërguan me shpejtësi në spitalin e Bulqizës. Për shkak të gjendjes së rënduar është rekomanduar dërgimi i tre prej tyre në Tiranë. Gjendja erdhi duke u përkeqësuar, pasi nuk dihej ende fati i dy minatorëve që ndodheshin në frontin e punës në momentin e shpërthimit. Specialistë me përvojë të gjatë në miniera dhe punëtorët e avari-shpëtimit nisën kërkimet për gjetjen e dy minatorëve që konsideroheshin të zhdukur. Momenti më kritik i ngjarjes së djeshme ishte gjetja pa jetë e trupit të minatorit Naim Shyti, njëri nga