Mini Moneti britanik

Mini Monet, siç e quajnë mediat britanike, është ylli i ri i artit britanik. Kieron Williamson i ka vetëm tetë vjet dhe aktualisht është piktori më i popullarizuar në Britaninë e Madhe. Në një ekspozitë të paradokohshme, pikturat e tij u shitën brenda vetëm gjysmë ore, duke mbledhur afro 183,000 euro. Për blerjen e veprave të tij të ardhshme që tani janë formuar lista të gjata të pritjes.
Por, gjithë këtë rrëmujë të ngritur përreth tij dhe artit që e bënë Kerion e shikon me mjaft gjakftohtësi.
“Për mua kjo është normale. Lopët është lehtë të pikturohen, për këtë s’më duhet të mendoj shumë gjatë, por kuajt janë diçka tjetër. Për pikturimin e këmbëve të tyre vërtet më duhet të mundohem paksa”, tregon djaloshi flokëverdhë. Në galerinë Picturecraft, në Olt, një qytezë kjo në verilindje të Londrës, vizitorët mund të shohin akuarelet e tij, por edhe vajrat në pëlhurë, dhe vizatimet, për të cilat, siç thotë idetë i merr nga interneti, e pastaj i përpunon dhe i ndryshon.
Talent natyror
Mini Moneti ka dijeni të madhe teorike për pikturë. Për dallim nga Kieron, prindërit e tij, Keith dhe Michelle, ende nuk janë gjendur si duhet në situatën e re.
“Ne asnjëherë nuk jemi marrë me pikturim, kështu që po e kemi vështirë të kuptojmë se çfarë po ngjet në kokën e tij. Nuk kemi ide se prej nga i erdhi ky interesim për pikturë. Mirëpo, me sa po duket, ai ka dëshirë të punojë dhe s’po heqë dorë nga kjo gjë”. thotë nëna e tij, Michelle.
Ajo tregon se Kieron ishte vetëm pesëvjeçar kur, gjatë pushimeve në Cornwall, kërkoi për herë të parë që t’ia blinin një laps dhe ngjyrat, për të pikturuar anijet dhe detin që ndodheshin aty pranë.
Dhe, përkundër shqetësimit dhe pasigurisë nëse për të birin e tyre është gjë e mirë që të jetë në qendër të vëmendjes mediale, Williamsonët thonë se do ta mbështesin gjithmonë në atë që dëshiron të bëjë.
Kieron Williamson, i cili në shikim të parë duket sikur çdo moshatar i tij, megjithatë nuk posedon vetëm talentin për pikturim por edhe një dijeni të pasqaruar teorike për atin. Është në gjendje që për orë të tëra të diskutojë për ngjyrat, rolin dhe rëndësinë e tyre, raportet mes hijes dhe dritës, për teorinë e perspektivës...
Çfarë do të ndodhë në adoleshencë?
Por, a do të rritet talenti i tij me kalimin e viteve, apo do të mbetet në të njëjtin nivel si ky i tashmi. Këtu mendimet ndryshojnë. Disa mendojnë se sigurisht që po, meqenëse kreativiteti dhe talenti s’mund të humbin.
Të tjerët mendojnë se shumica e artistëve ose sportistëve që ishin super të talentuar në fëmijëri , atë talent nuk e ruajtën në periudhat e mëvonshme të jetës. Disa i këshillojnë prindërit e Kieron që situatën ta pranojnë ashtu siç është. Psikologu Jack Boyle, për shembull, porositë prindërit “që të mos shqetësohen shumë, meqë talenti sigurisht që s’do t’i bëjë keq fëmijës”.
"Fëmijët dëshirojnë të jenë të suksesshëm dhe të mirë. Prandaj, mundohuni të fitoni sa më shumë para, por pa e dëmtuar atë. Aty s’ka asgjë të keqe. Shitni sa më shumë piktura që të mundeni”, thotë Boyle.
Se a do t’i dëgjojnë Keith dhe Michelle këto këshilla, nuk dihet. Por, ata s’do ta pengojnë Kieron’in aq kohë sa ky të dëshirojë të pikturojë.
“Për ne nuk ka fort rëndësi se çfarë bënë ai. E dimë se për gjithçka që bënë ai i përkushtohet 200 përqind. Për ne më e rëndësishmja është që ai të jetë i lumtur dhe i kënaqur”, shprehet Michelle.
Gjykuar sipas suksesit të deritanishëm, por edhe ekspozitës së re, të paralajmëruar për verën e ardhshme, duket se fëmija i supertalentuar britanik, tash për tash, është edhe i lumtur edhe i kënaqur.