E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pro dhe kundër një hapësire tjetër teatrore

Ideja e dramaturgut dhe ish-drejtorit të Teatrit Kombëtar të Kosovës (TKK), Arian Krasniqi, që teatri të zhvendoset në një hapësirë tjetër, ka nxitur reagime edhe nga artistë të tjerë. Disa e përkrahin këtë ide, disa jo.

Mbajtja e shpeshtë e protestave para Teatrit Kombëtar, ose e akademive përkujtimore dhe aktiviteteve të ndryshme - politike dhe të natyrave të tjera sociale brenda tij, ka bërë shpesh që TKK më tepër të ngjajë në një arenë politike sesa artistike.

Në një intervistë të mëhershme për Express, ish-drejtori i TKK’së, Arian Krasniqi, ka nënvizuar se, pavarësisht asaj se ishte munduar t’i ndalonte aktivitet joartistike në TKK, nuk ia kishte dalë këtij qëllimi.

“Unë kam provuar t’i ndaloj. I kam reduktuar, por s’kam arritur t’i ndaloj plotësisht. E kam parë se politika është më e fortë dhe më e vrazhdë sesa ambicia dhe idealizmi për të shërbyer për artin dhe kulturën”, theksoi Krasniqi për Express, i cili madje TKK’në e cilësoi si sinonim të një qendre ku mbahen të gjitha manifestimet paqësore, por edhe ato jopaqësore.

“Jo që kjo mua më pengon, por e them me bindje të plotë se tash më shumë se kurrë paraqitet nevoja për një hapësirë të re dhe për një godinë të re të TKK’së. Diku jashtë sheshit të betejave politike, në një vend ku artistët do të krijonin dhe performonin në qetësi dhe rehati të plotës, ashtu siç ndodh kudo në vendet e qytetëruara”.

Krasniqi kështu i ka dhënë edhe më shumë brumë idesë për nevojën e një hapësirë të re për TKK’në.

“Duhet që godina e ardhshme e TKK’së të ketë më shumë salla dhe më shumë mundësi për më tepër punë, ndërkohë që kjo godinë do të përdorej vetëm për aktivitete kulturore-artistike e jo politike”, mendon ai. Kjo për shkak se, sipas Krasniqit, godina e TKK’së nuk i plotëson as kriteret teknike e as hapësinore për të qenë një teatër i denjë kombëtar. “S'ka parking, është e vjetruar edhe ndodhet në një vend që pengon punën e krijuesve”.

Por, ndryshe nga ai mendon dramaturgu Albatros Rexhaj, i cili mendon se, pavarësisht zhvendosjes së teatrit, kjo gjë s’mund ta largojë atë nga politika.

“Teatri ka nevojë për pavarësi nga politika. Kjo e dyta më shumë ka të bëjë me vetëdijen e përgjithshme publike. Pengesa në pavarësinë e mirëfilltë të TKK’së nuk vjen vetëm nga politika, por edhe më shumë nga servilizmi i artistëve dhe nga krijimi i klaneve, që cak kanë vetëm zhvatjen e fondeve publike. Unë jam i bindur se nëse ndonjëherë do të bëhej një hetim i hollësishëm i përdorimit të fondeve publike për kulturë, do të dilnin në shesh korniza të qarta të një veprimi të organizuar për zhvatje të fondeve publike”, thekson Rexhaj.

Ai madje thotë se ideja e Krasniqit nuk është ide me vend.

“Kjo, për shkak se Teatri Kombëtar përpos që është shtëpi e artit dhe e kulturës, ai njëkohësisht është edhe simbol i shtetësisë, e po ashtu edhe një institucion shtetëror. Vetë fjala kombëtar nënkupton atributin shtetformues të popullit të vendit, të cilit i takon teatri. Prandaj, në një shtet duhet të ekzistojë vetëm një teatër kombëtar”, përfundon ai.

Sipas dramaturgut dhe regjisorit Jeton Budima, teatrit nuk duhet t’i ndryshohet vendi. “Kjo ndërtesë me elemente baroku funksionon nga viti 1948 dhe në ditët e sotme duket pak a shume unike në raport me një rrethinë moderne..Në të gjitha vendet e botës ekzistojnë ndërtesa analoge në një infrastrukturë të ndryshueshme”, thotë Budima. Mirëpo, ai mendon se Komuna e Prishtinës duhet të mendojë për të gjetur një hapësirë tjetër për tubime të këtilla.

“Për tubimet politike, protesta të ndryshme ose koncerte, përgjegjës është Kuvendi Komunal i cili duhet të sigurojë hapësira të veçanta për këto manifestime ditore... Përballë Teatrit gjendet "Skënderbeu", i cili është model revolte dhe qëndrueshmërie. Të gjithë ata të cilët dëshirojnë të thonë diçka, mund ta përdorin kalin e tij. Mirëpo, për

këtë duhet të vendosin ata, të cilët nuk e kalojnë ditën në kali, mirëpo në vetura luksoze!”, thotë Budima.

Sa për aktivitete joartistike brenda Teatrit Kombëtar, edhe Budima pajtohet se e pengojnë punën e tij. “Këto aktivitete e pengojnë shumë funksionimin e Teatrit Kombëtar për shkak se kemi të bëjmë me një institucion kulturor, i cili keqpërdoret për interesa të ndryshme klanore. Në këto rrethana, ky teatër shndërrohet në furrë dhe vetëshërbim ku njerëz të ndryshëm lagin fytin, e ngopin barkun para se t’i thonë disa fjali me mikrofon para një mase me parulla të ndryshme në duar. Në këto rrethana, aktorë dhe regjisorë të ndryshëm nuk mund të hyjnë në shtëpinë e tyre...Ky është nënçmim dhe zhgënjyes për një institucion kulturor.

Në fund Budima thotë se TKK megjithatë nuk guxon të zhvendoset. “Teatri nuk

guxon të zhvendoset vetëm pse grupe të ndryshme interesi dëshirojnë ta bëjnë këtë”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›