Teatri e biblioteka bëhen me ligj

Gjatë paraqitjes para kabinetit qeveritar të Projektligjit për Teatrot, ministri i Kulturës, Memli Krasniqi, përmendi disa nga fushat që do të rregullojë dhe garantojë ai, si të drejtën e lirisë krijuese për të gjitha format dhe shprehjet artistike skenike; rregullimin e themelimit, organizimit, funksionimit, drejtimit, menaxhimit dhe financimit të teatrove; pozitën e artistëve teatrorë; si dhe çështje tjera të rëndësishme për teatrot.
Ndryshe, ky projektligj është në përputhje të plotë me legjislacionin e BE’së, dhe me Rezolutën e Ministrave të Kulturës, të miratuar gjatë takimit të 7 qershorit 1991 të Këshillit të Ministrave, për zhvillimin e teatrit në Evropë.
Gjithashtu, sipas ministrit Krasniqi, edhe Projektligji për Bibliotekat “vjen si nevojë e kohës për avancimin e kornizës ligjore, për rregullimin e fushës së bibliotekarisë, dhe ai është në përputhje të plotë me përkushtimin e Qeverisë për standardizimin e bibliotekave në Republikën e Kosovës”.
Ky projektligj është pjesë e Planit Legjislativ të MKRS’së për vitin 2011, por edhe e Strategjisë Legjislative të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2011. I njëjti është në përputhje me legjislacionin e BE’së dhe me dokumentet tjera ndërkombëtare që e rregullojnë fushën e kulturës.
Ndryshe, projektligji rregullon: parimet dhe normat themelore të veprimtarisë bibliotekare dhe të organizimit dhe funksionimit të bibliotekave; llojet e bibliotekave; veprimtarinë e bibliotekave; strukturën, organizimin dhe financimin e bibliotekave; funksionet dhe përgjegjësitë e bibliotekave; zhvillimin dhe përpunimin e koleksioneve; si dhe Rrjetin Bibliotekar të Kosovës.