E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minindeshjet e Kombëtares, fitojnë rezervat



Kombëtarja e Shqipërisë zhvilloi dje në ditën e dytë të stërvitjeve, në kuadër të përballjeve me Suedinë e Maltën dy seanca stërvitore, të parën në kompleksin “Skënder Halili” (09:45) dhe të dytën në “Selman Stërmasi” (18:30). Fillimisht veprime të lira me top, ku shiheshin krosimet e Ervin Skelës nga krahët për Kapllanin e Bogdanin, ndërsa më pas një ushtrim “xhokeri” me të gjithë lojtarët në një zonë të vogël 25x25 m me pasime te shkurtra e sa me pak kontakte me topin. Së fundi, trajneri Han organizoi edhe dy minideshje në një “fushë të improvizuar” prej 50 metrash. Trajneri i ndau lojtarët në dy ekipe nga nëntë lojtarë (portieri i dytë ishte masazhatori Ylli Mihali. Me jelekë blu ishte dhe ekipi i parë, ku ra në sy se sulmuesi i vetëm ishte Erjon Bogdani, ndërsa në ekipin e dyte me të “kuqe” ishin tre sulmuesit e tjerë: Edmond Kapllani, Hamdi Salihi e Besart Berisha. Ndeshja u fitua nga “rezervat” me rezultatin 3-1. Kristi Vangjeli shënoi golin e vetëm për “titullarët” falë asistit të Ervin Skelës, ndërsa për “alternativat zëvendësuese” shënuan Ervin Bulku (asist i Hykës), Edmond Kapllani (asist i Hykës). Në pjesën e dytë të minindeshjes, Han çoi Hykën te “titullarët” (nga e majta e mesfushës), duke postuar Altin Lalën te “rezervat”. Bulku shënoi golin e tretë për ekipin e dytë.

3 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›