Kapllani: “E dua një gol kundër Suedisë”
Ervin Skela e Adrian Aliaj janë dhe autorët e dy golave të fundit në portën e Suedisë në miqësoren e fituar 2-1, më 18 shkurt 2004 Atëherë fantazisti i kuqezinjve Ervin Skela humbi dhe një penallti përballë Isaksonit, teksa suedezi që mbron portën e PSV Eindhovenit është thirrur sërish. Ylli Shehu në humbjen 1-2 (5 nëntor 1998) dhe Sokol Kushta në ndeshen e humbur 3-1 (8 tetor 1989) janë dhe dy autorët e tjerë të katër golave kundër Suedisë, kundrejt gjashtë golave që kemi pësuar.
Por, nëse katër vjet e gjysmë më parë, gjermani Hans Peter Brigel kishte në sulm Igli Taren, Alban Bushin, Atin Rrakllin e Florian Myrtajn, holandezi Ari Han nuk ka asnjë nga emrat e atëhershëm në vijën e parë në ndeshjen zyrtare të 6 shtatorit 2008.
Erjon Bogdani, Edmond Kapllani, Hamdi Salihi e Besart Berisha janë edhe alternativat në sulm për ndeshjen e katërt historike kundër Suedisë dhe të tretën zyrtare ndaj vendit nordik, ndaj të cilit i kemi humbur dy të parat (1-2, 3-1).
Edmond Kapllani, sulmuesi që mban edhe rekordin shqiptar për nga numri i golave brenda një fushate kualifikuese me 5 të tillë, është futbollisti që shënon rregullisht në ndeshjet e fundit.
Me përjashtim të ndeshjes kundër Polonisë, sulmuesi i Karlsruhes ka realizuar në vazhdimësi në katër ndeshjet e fundit: në humbjet kundër Bjellorusisë 2-4 (1 gol) e Rumanisë 6-1 (1) për eliminatoret e Euro 2008 e së fundi edhe në miqësoren e fituar kundër Lihtenshtejnit 2-0 (1).
“Është normale që edhe nga mua priten gola, pasi nuk mund të kënaqem vetëm me një të tillë në miqësoren e fundit (kundër Lihteshtejnit). Të paktën kështu jam unë. Gjithsesi, e rëndësishme është që të bëjmë një paraqitje të mirë për ekipin ashtu dhe për tifozët. Pse jo e dua një gol kundër Suedisë”, - thotë Kapllani.
Në fakt, statistikat e fundit të Suedisë nuk flasin për rezultate të mira për skuadrën nordike, të paktën në tre të fundit ka humbur: kundër Francës 2-3 (miqësore), Rusisë 0-2 (Euro 2008) dhe Spanjës 1-2 (Euro 2008). Por, emra të mëdhenj si Zlatan Ibrahimoviç (Inter), Henrik Larson (Helsingborg), Olof Mellberg (Juventus), Kim Kallstrom (Olimpik Lion), Tobias Linderoth (Gallatasaral) natyrshëm që në pamje të parë të krijojnë një trysni psikologjike.
“A i ndryhemi Ibrahimvoçit? Është normale që ekziston një ndjenjë e tillë, pasi Suedia është një ekip me eksperiencë më të madhe ndërkombëtare. Dihen cilësitë e Ibrahimoviçit, si me kombëtaren ashtu dhe me ekipin e tij, Interin. Problemi nuk qëndron vetëm te Ibrahimoviçi, pasi ata janë 11 lojtarë. Me thënë të drejtën ata kanë një ekip shumë kompakt dhe shumë të mirë. Gjithsesi, besoj se nuk duhet ta marrim me frikë. Duhet të mobilizohemi më shumë për ndeshjen tonë, sesa të shohim se kush është kundërshtari”.
Kapllani aktivizohet në Bundesligën 1. Kampionati gjerman ka tri javë që ka filluar dhe Edmondi ndihet mirë fizikisht. “E vërteta është se kam bërë një fazë përgatitore shumë të mirë, nuk kam pasur asnjë dëmtim dhe jam në gjendje optimale si psikologjikisht ashtu dhe fizikisht”, - përfundon sulmuesi, një nga pikat e forta e të cilit është lufta në ajër.
3 Shtator 2008