Në Suedi shpërthen debati: “Si të luajmë kundër Shqipërisë?”
Në Suedi kanë shpërthyer debatet. Si të luajmë kundër Shqipërisë? Në faqen online të gazetës suedeze “Aftonbladet”, jepen edhe disa sugjerime, por që sigurisht ndoshta edhe nuk mund të vlejnë për trajneri Lars Lagerbak. “Është më mirë ta fillojmë me 4-4-2 për të marrë pikë. 3-5-2 është për të ardhmen, por ne kemi nevojë për më shumë ndeshje, përpara se ta aplikojmë atë në eliminatore. Unë mendoj se do të ishte mirë t’i kishim të dy opsionet, për t’i ndryshuar nëse do të dështojmë me njërin prej tyre gjatë lojës”, - thotë një prej ekspertëve të njohur suedez të futbollit, Tomas Nordahl. Gjithsesi mendimet vlojnë. “Unë mendoj se duhet të luajmë 3-5-2. Shqipëria është një vend të cilin ne duhet ta mundim, për më tepër që ne kemi mundësinë të luajmë ndeshjen e kthimit në shtëpi. Behet fjalë për një ndeshje që duhet të fitojmë, por edhe që mund të rezultojë në një dështim nëse rast se në do të provojmë t’i nënvleftësojmë”, - shkruan Stefan Alfelt. “4-4-2, Shqipëria është jo shumë larg nivelit tonë. Do të ishte më mirë të provonim të luanim 3-5-2, pasi ne nuk jemi shumë të shpejtë në mbrojtje për t’u bërë ballë atyre. Na mjafton të shikojmë Francën, që shënoi tre gola kundër nesh. Ndërkohë që mund ta ndryshojmë sistemin e lojës gjatë lojës”, - thotë një tjetër specialist suedez, Ralf Edstrom. Sulmuesi Henrik Larson do të festojë kundër Shqipërisë dy ngjarje brenda 90 minutave: do të luajë ndeshjen e tij të 100-të ndërkombëtare dhe do të mbajë në krah shiritin e kapitenit. Pas largimit nga Kombëtarja të Fredrik Ljunbergut pas finaleve të Euro 2008, ai la vakant edhe vendin e kapitenit. Edhe në opinionin suedez mendohej se mund të ishte kapiteni i ri qoftë Zlatan Ibrahimoviçi apo Tiobas Linderuth, trajneri Lars Lagerbak zgjodhi sulmuesin e Helsinborgut, Henrik Larson. “Ai ka të gjitha karakteristikat që ne mendojmë për një kapiten. Për këtë arsye ne zgjodhëm Henrikun”, - tha Lagerbak i cituar nga faqja zyrtare e Federatës Suedeze të Futbollit. Suedia vazhdon përgatitjet në Rasunda, ku do të qëndrojë deri të enjten, përpara se të niset për në Shqipëri ditën e premte. Po të premten në mbrëmje (18:45), Suedia do të zhvillojë në “Qemal Stafa” edhe stërvitjen njohëse, 24 orë përpara takimit zyrtar të ditës së shtunë.
3 Shtator 2008