E Shtunë, 31 Tetor 2026

Toçila sjell Odisenë dhe joshjen e Sirenave në Durrës

Itaka grua titullohet spektakli i radhës që stilistja tashmë e afirmuar, Merita Toçila propozon për publikun shqiptar e të huaj. Itaka grua titullohet shfaqja më e re që ndërthur stilimin e veshjeve, modën, me letërsinë, poetikën dhe pikturën. Ky aktivitet që do të zhvillohet në 26 maj në Durrës Itaka grua një lirikë poetike nga Kolec Traboini, ishte fillesa e gjithë këtij realizimi. Për këtë sfilatë mode stilistja vetë tregon se: Fjala ka qenë shoqëruese e performancave të saj, që prej fillimit për të përcjellë përveç koleksioneve të reja të veshjeve edhe një mesazh artistik...herë-herë dhe duke prekur ndonjë problem shoqëror, apo duke përkujtuar ndonjë figurë të madhe. Çdo herë një poezi ndryshe dhe një poet që vjen me fjalën e tij. Duke qenë në fillim të sezonit të ri veror, kur të gjithë emigrantët shqiptarë, por edhe shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë apo diasporës kanë si pikë referimi atdheun, kthimin për pushime këtu, çmalljen me të afërmit dhe vendin e tyre, edhe motivi i shfaqjes përputhet mrekullisht me gjithë këtë. Kësaj here thërrasim për ndihmë, mitin e lashtë të ikjes së njeriut dhe të rikthimit përsëri në Atdhe. Atdheu mund të jetë dhe një copë gur, ashtu siç mund të jetë familja, nëna, fëmija e gruaja. Ishte një impuls i fortë për të realizuar një performancë krejt të re dhe të pa krahasuar sa i takon fushës së modës në vendin tonë. Siç e kuptuat, ju sjellim Odiseun sipas këndvështrimit tonë, këtë ikanak të përhershëm në kërkim të Itakës së tij, përmes ëndrrash dhe tundimesh... Sirenash dhe betejash, me kuaj troje, me zgjuarsi, që vlen po kaq sa edhe guximi për të qenë trima në çdo sfidë... Pikërisht momenti i kthimit të Odiseut në Itakë dhe përballja me tundimet e Sirenave, të cilat duan ta joshin për të mos e lënë të shkojë pranë gruas së tij, Atdheut, është edhe momenti kyç, mbi të cilin bazohet performanca jonë, natyrisht, e pasuruar dhe përshtatur me elementet që stafi realizues e ka gjykuar si më të përshtatshme për të dhënë mesazhin dhe emocionet që synojmë të përçojmë te publiku. Ka vetëm një Odise dhe Itakë...të tjerat(modelet) janë circet, sirenat por të kohës së sotme, natyrisht, duke prezantuar në këtë mënyrë koleksionin e ri pranverë-verë, ku mbizotëron qëndisja dhe përdorimi i aksesorëve të shumtë në pëlhura, me ngjyra të forta vere për të mos iu larguar shkëlqimit të Sirenave dhe funksionit të tyre. Përveç këtyre, disa prej veshjeve janë realizuar duke përdorur një teknikë krejtësisht individuale, duke realizuar një pëlhurë unike me konfiguracione të ndryshme, gati si një realizim në telajo...Odiseu kësaj radhe vjen nga Kosova dhe Itaka është një imazh që nuk ka të bëjë me Penelopën, siç ndoshta mund të prisnit... Pikërisht mesazhi i tij i madh do të jetë dhe surpriza e kësaj performance. Një imazh që do të plotësojë imazhet e tjera që kemi përdorur më parë në sfilatat e tjera. Sa i përket grupit realizues, mund të thuhet se tashmë regjisori Erjon Beci ka dhënë prova me sfilatën e mëparshme po të stilistes Toçila, tetorin e kaluar në hotel Sheraton të titulluar Nënë Tereza -shenja shenjtërie, ndërsa kujtojmë se një bujë po kaq të madhe bëri dhe sfilata Adami dhe Eva, gjatë së cilës stilistja Toçila guxoi për herë të parë të thyente tabutë shqiptare dhe të nxirrte vajza nudo në një sfilatë mode para publikut dhe kamerave. Skenografia i është besuar piktorit të njohur Zaim Elezi, ndërsa lirika siç ju thamë në fillim Kolec Traboinit për të kaluar te dy elementë të tjerë të rëndësishëm siç janë zëri, (Vasjan Lami) dhe formulimi muzikor nga Dritan Lumshi.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›