LLL çel fushatën elektorale me shpalljen e 32 kandidatëve për deputet
Partia Lëvizja e Legalitetit, pjesë e koalicionit Aleanca e ndryshimit, që kryesohet nga PD, ka hapur fushatën e saj elektorale, ku janë prezantuar programi dhe 32 deputetët, që do të përfaqësojnë këtë forcë politike në zgjedhjet elektorale të qershorit. Kryetari i PLL-së, Ekrem Spahia, koalicionin me të djathtët nuk e konsideron një komoditet elektoral, por sipas tij PLL e sheh këtë marrëveshje si një impenjim serioz të një rëndësie të veçantë për të kontribuar në radhë të parë për fitoren e së djathtës shqiptare.
Në fjalën e hapjes së fushatës elektorale, kreu Spahia ka vlerësuar rëndësinë e veçantë që kanë zgjedhjet parlamentare për Shqipërinë, rezultat i të cilave do të vendos fatin e reformave të ndërmarra nga qeveria e djathtë, të konsideruara nga të gjithë si mjaft të suksesshme. Nga rezultati i këtyre zgjedhjeve do të varet fati i reformave në ekonomi, që përkthehet në paga dhe pensione më të larta, rrugë, ujësjellës, investime të mëdha që do të rrisin më tej standardin e jetesës në çdo skaj të vendit tonë, u shpreh Spahia në fjalën e tij, duke nënvizuar se nga këto reforma varet fati i integrimit në BE, ku shqiptarët synojmë të realizojnë ëndrrën e hershme. Ndër të tjera, këto zgjedhje paraqesin edhe një rëndësi të madhe për PLL-në, që sipas kreut të saj, kjo forcë politike synon që të realizojë një përfaqësim real parlamentar, që do të krijojë mundësinë e përfshirjes dhe materializimit në politikat shtetërore dhe programet qeverisëse të parimeve tona, për një shtet të fortë dhe në dobi të qytetarëve, për shenjtërinë e pronës, ruajtjen dhe krijimin e mundësisë që shqiptarët kudo që ndodhen të ndihen bashkë në kulturë, ekonomi, zhvillim dhe të punojmë çdo ditë për ëndrrën tonë të madhe të bashkimit kombëtar. Në kuvendin elektoral të PLL-së, u prezantuan 32 kandidatë të kësaj force politike për qarkun e Tiranës, ku spikasnin emra të njohur akademikësh dhe figura aktive në jetën publike. 140 kandidatët në të gjithë vendin, kreu i PLL-së i ka vlerësuar si sigurinë e fitores së kësaj force politike në shumicën e qarqeve. Hapjen e fushatës elektorale të PLL-së, e ka përshëndetur edhe kryetari i Asamblesë së Partisë Republikane Sabri Godo, i cili theksoi se legalistët dhe republikanët i bashkon ideja e të qenit të djathtë, koncepti i pronës, i familjes dhe i shoqërisë. Uroj fitore të koalicionit të djathtë me në krye kryeministrin Sali Berisha, sepse reformat dhe ndryshimet e mëdha që ka përjetuar Shqipëria në këto 4 vite, duhet t'i çojnë deri në fund ata njerëz vitalë që i ideuan, theksoi Godo.