E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministrat Basha dhe Meta vlerësohen me çmime nga biznesi shqiptar



Ervin KOÇI

Biznesi shqiptar ka mbyllur në një mbrëmje festive sfidat dhe sukseset e vitit 2010. Në një ceremoni të posaçme Dhoma Kombëtare e Tregtisë dhe Industrisë ka nderuar dhe vlerësuar disa nga faktorët dhe kompanitë që kanë spikatur gjatë këtyre muajve. Në festën e fundvitit, Dhoma shpërndau edhe disa çmime për vitin 2010, ku përveç bizneseve, të përzgjedhur për kontributin e tyre ishin edhe dy prej ministrave të kabinetit qeveritar. "Ka qenë një vit i ngarkuar dhe me shumë tension për sipërmarrjen shqiptare, por që po përmbyllet me sukses. Biznesi shqiptar doli nga dera e pasojave të krizës dhe po konsolidohet më tej. Kjo e dëshmon dhe rritja e import-eksporteve për periudhën janar-shtator 2010",- tha Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë. Gjithashtu në këtë mbrëmje festive, janë vlerësuar edhe shumë biznese të tjera si kompani të sigurimeve, apo dhe “Klik Ekspo Group”, për afrimin e sipërmarrësve të huaj potencial në vend. Në festën e madhe të biznesit ishin të pranishëm përfaqësues të dhomave të tregtisë nga disa qytete dhe përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë.

Çmimi për sipërmarrjet
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Ilir Meta është vlerësuar me çmimin e kontributit të veçantë si “Mik i sipërmarrësve shqiptar”. Meta, u përzgjodh për aktivitetin e tij të veçantë në mbështetje dhe promovimin e biznesit shqiptare si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Në fjalën e tij, Meta, uroi sipërmarrësit në aktivitetin e tyre ekonomik dhe garantoi se do vazhdojë mbështetja për biznesin shqiptar, në mënyrë që ai të konsolidohet më tej dhe të vazhdojë të jetë motor i zhvillimit të vendit. "Suksese dhe mbarësi në aktivitetet tuaja, pasi suksesi dhe mbarësia në aktivitetet tuaja është sukses dhe mbarësi për të gjithë vendin dhe për gjithë shoqërinë tonë, ndaj dhe unë do bëjë gjithë përpjekjet e mia për të mbështetur biznesin shqiptar në mënyrë që ai të konsolidohet më tej dhe të vazhdojë të jetë motor i zhvillimit të vendit sikurse ka qenë edhe deri tani",- tha kreu i METE-s. Ai garantoi se do të vazhdojë mbështetja për biznesin shqiptar, në mënyrë që ai të konsolidohet më tej dhe të vazhdojë të jetë motor i zhvillimit të vendit.

Liberalizimi i vizave
Liberalizimi i vizave nuk është një lehtësim vetëm për qytetarët shqiptarë por sidomos edhe për biznesin shqiptar. Suksesi i Ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, në procesin e heqjes së viza është nderuar gjithashtu me çmimin nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në emër të të gjithë biznesmenëve shqiptar. Ministri Basha, i cilësoi biznesmenët si kapitenët e ekonomisë shqiptare të cilët po ashtu kanë rolin kryesor në ndryshimin e imazhit të vendit i cili pak kohë më parë përfitoi liberalizmin edhe standarde ekonomike që ofron. "Është një vlerësim shumë i madh për mua, veçanërisht duke pasur parasysh se nga kush vjen. Anëtarët e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, kapitenët e ekonomisë së Tiranës, kësaj lokomotive të ekonomisë shqiptare",- tha Basha. Për ketë arsye, në kontributin e dhenë ne plotësimin e kushteve të kërkuara dhe udhëheqjen e procesit drejt finalizimit të tij në 15 dhjetor, Ministrit të Brendshëm, Basha iu akordua çmimi “Për rolin e spikatur në liberalizmin e vizave”. Ministri Basha theksoi se, puna e ministrisë se Brendshme nuk përfundon me liberalizmin e vizave ndërsa premtoi se një aksion edhe më i madh do të zhvillohet në drejtim të përmirësimin të rendit dhe sigurisë ndërsa njoftoi instalimin e sistemit të vrojtimit në kryeqytet, i cili do te rrisë kapacitetin parandalues të akteve kriminale.

Shkurt///////////////////
Tatimet, gjobitje e konfiskime mallrash pa faturë e pullë akcize në disa qytete

Në kuadër të luftës kundër korrupsionit dhe evazionit fiskal Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka ndërmarrë një sërë aksionesh për monitorimin e tregjeve. Aksioni u shtri në disa qytete të vendit për tregtimin e mallrave gjatë festave të fundvitit, ku u kapën biznese të caktuara që i shmangeshit detyrimit ligjor të faturave tatimore dhe tregtonin mallra pa pullën fiskale. Kjo drejtori bën të ditur se, gjatë kontrolleve në rang vendi janë konfiskuar 14000 copë fishekzjarre, 830 litra vaj makine, 193 antifriza, 50 copë filtra ajri, 150 kg bojë plastike, 274 koli me artikuj të ndryshëm ushqimorë. Në këtë kontekst DPT-ja informoi se janë zhvilluar 530 kontrolle dhe janë konfiskuar në Tiranë në vlerën e 6.000.000 lekëve artikuj kancelarie, ushqimore dhe alkoolike, ndërkohë që për bizneset në fjalë tatimorët kanë vënë gjoba në shumën prej 500.000 lekësh për mosvendosje të pullave të akcizës. Gjithashtu drejtoria rajonale e Durrësit ka konfiskuar rreth 17 koli ose 8700 paketa cigaresh “Davidoff” dhe “Victory” të pashoqëruara me faturë tatimore si dhe 54 koli lëngje frutash. Në qytetin e Durrësit tatimorët mësohet se kanë konfiskuar 1080 paketa cigare pa faturë tatimore dhe 680 paketa pa pullë. Tatimorët e Fierit kanë konfiskuar 28 tonë grurë i pashoqëruar me faturë tatimore si dhe një një bot me një ngarkesë prej 20 m3 nafte bruto, e cila ishte e pashoqëruar me faturë dhe dokumente të nevojshme. Ndërkohë në bashkëpunim me Zyrën Shqiptare të të Drejtave të Autorit janë sekuestruar 1750 copë CD e DVD. Drejtoria e tatimeve i ka bërë thirrje tatimpaguesve që gjatë tregtimit dhe lëvizjes së mallrave t’i kenë ato të dokumentuara me fatura tatimore të rregullta ose fatura shoqërimi. Ndërkohë sipas saj, tregtarët duhet të kenë të afishuar në mënyrë të qartë dhe të lehtë për t’u parë nga konsumatorët listën e çmimeve të produkteve që ata tregtojnë. Administrata Tatimore bën me dije se monitorimet dhe kontrollet e befta do të vijojnë edhe në ditët në vijim. DPT-ja u ka bërë apel qytetareve dhe tatimpaguesve, që të denoncojnë çdo akt abuziv të punonjësve të Administratës Tatimore, përmes numrit falas të telefonit “0800 14 14”.

Nga tregu në treg, çmimet luhaten 10 lekë

Në kryeqytet dallohen tre kategori tregjesh, tregu më i lire, ai pranë rrugës Artan Lenja, më pas vjen ai i ish-Uzinës Dinamo, ku gjen më tepër varietete, por sidoqoftë i njëjti mall, është 10 lekë më I shtrenjtë dhe derisa ky mall të shkojë në dyqanet dhe ushqimoret e lagjeve, është 20 lekë më shtrenjtë. Kështu në tregun e rrugës “Artan Lenja”, mandarina shitet me 80 lekë për kilogram, cilësia e dytë, po kjo cilësi në tregun e ish-Uzinës Dinamo shitet 90 lekë për kilogram dhe në pikat e pakicës, në dyqanet e lagjeve shitet 100 lekë për kilogram. Sidoqoftë duhet thënë se fruta-perimet, këtë vit janë më të lira se një dimër më parë. Sipas specialistëve lëvizja pa viza në shtetet e Europës, ka bërë që të stabilizohen çmimet në tregun shqiptar të produkteve ushqimore. Janë rritur importet nga tregtarët e mesëm dhe të vegjël. Ndërkohë është rritur dhe sasia e produktit shqiptar, që vjen nga fshatrat përreth zonave urbane.

Çmimi i mishit 700 lekë/kg, stabilizohet tregu

Mishi dhe gjeli i detit është ai që u kushton më tepër shqiptarëve për festat e fundvitit. Por ndryshe nga vitet e tjera, ajo çfarë vihet re është ulja e çmimit të mishit, konkretisht në tregun e “Pazarit të Ri”. Mishi i viçit shitet me 700 lekë për kilogram, keci me 750 lekë për kilogram, ndërsa shpatulla, apo kofsha shitet me 550 lekë për kilogram. Sipas tregtarëve në këtë treg, çmimet janë më të ulëta, pasi nuk paguajnë taksë dyqani, por vetëm një taksë minimale për vendin. Ata shprehen se furnizohen nga fshatrat rreth Tiranës, por ka dhe dyshime se fshatarët i shesin bagëtitë në vendet përreth dhe ai që tregtohet është mish maqedonas. Ndërsa kilogrami për gjelin e detit të gjallë është 700 lekë, ndërsa i therur është 105 lekë për kilogram. Edhe gjelat e detit, vijnë nga fshatrat përreth Tiranës.

24 Dhjetor 2010

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›