Akti Normativ për pensionet përplas ashpër pozitën dhe opozitën
Anilejda Shëmbitraku
Dje, diskutimi i Aktit Normativ për pensionet suplementare të ushtarakëve ka kaluar mes debateve të ashpra në Parlament mes pozitës dhe opozitës. Përfaqësuesit e opozitës janë shprehur kundër këtij drafti duke mbrojtur në këtë mënyrë mirëqenien ekonomike dhe sociale të shtresës që i ka dhënë votat, ndërsa deputetët e pozitës kanë argumentuar votimin e Aktit Normativ me idenë e vendosjes së barazisë sociale për të gjithë pensionistët në shkallë vendi.
Opozita
“Ish-ushtarakët sot përballen me pandjeshmërinë e Sali Berishës. Është një grup shoqëror që nuk ka vëmendjen e duhur nga ana e qeverisë. Bode e ka thënë hapur se nuk do të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sepse nuk ka lekë; gjë që nuk është e vërtetë”, - ka thënë deputeti socialist, Arben Ahmetaj. Ai tha se opozita do të mbështesë këtë kategori, pasi sipas tij, ish-ushtarakët nuk mund të marrin një pension kaq të vogël. “Si ka mundësi që ish-ushtarakët të marrin një pension më të vogël se ai minimali? Ne si opozitë jemi të vendosur që jo vetëm të mbështesim këtë grup, por që ditën e parë që do të hipim në qeveri do ta shfuqizojmë këtë akt normativ”, - shtoi deputeti socialist. Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, është shprehur kundër Aktit Normativ për pensionet e ish-ushtarakëve gjatë diskutimit në Parlament. Ai ka deklaruar se nisma e qeverisë është antikushtetuese.
Pozita
Ministri i Financave, Ridvan Bode, ka reaguar në seancë plenare menjëherë pas akuzave të hedhura ndaj tij nga opozita. “Ju po e mashtroni këtë kategori, pasi Akti Normativ që ne nxorëm nuk i përfshin pensionet e 30 mijë ushtarakëve që janë në total, por vetëm të 7 mijë prej tyre, të cilët kanë dalë në pension të parakohshëm”, - është kundërpërgjigjur ai. Më tej Bode e akuzoi opozitën duke i thënë se ajo, gjatë viteve të qeverisjes së saj asnjëherë nuk i ka dëmshpërblyer dhe paguar siç duhet pjesëtarët e kësaj kategorie. Sipas tij, kjo kategori përfitonte përfitime ekstra, duke arritur në një pension deri 35 mijë lekë në muaj, i cili është sa pesëfishi i pensionit të një fshatari. Nga ana e tij, kreu i Financave, Bode, sqaroi se Akti Normativ prek vetëm ushtarakët që kanë dalë në pension të parakohshëm. “Nuk është fjala për pensionet e ish-ushtarakëve. Ata janë diku te 30 mijë”, - ka deklaruar Bode. Ai shtoi se “kjo synon të sigurojë një drejtësi shoqërore dhe të përmbushë disa favore që jepen nga Kuvendi për disa shtresa të caktuara shoqërore”. Ministri i Financave Bode deklaroi gjatë diskutimit në Parlament të Aktit Normativ për pensionet e ish-ushtarakëve se opozita synon të minojë kohezionin social në vend.
Ridvan Bode
“Po mbroni votat tuaja, jo pensionistët”
“Ky debat nuk ka të bëjë me ushtarakët në detyrë dhe ata në pension, por ata 7400 që kanë dalë në pension në moshën 40-vjeçare, që përbëjnë një grusht votash, sipas opozitës, që mund të futen në xhepin e votave që përpiqen të mbledhin. Jeni të gatshëm të fusni në konflikt social edhe ushtarakët brenda për brenda. Për një grusht votash nuk keni as parime dhe as moral”, - tha Bode. “Kërkoni të vrisni shpresën e 540 mijë pensionistëve, sepse me këtë fond që do të kursehet mund të shtohen pensionet e fermerëve, të arsimtarëve, mjekëve. Ju keni psikologjinë e Bllokut dhe të privilegjeve. Ju krijoni dhe mbroni kastat”, - shtoi ai.
Arben Malaj
“Propozimi i qeverisë, antikushtetues”
“Propozimi i qeverisë është antikushtetues. Ai ka një qëndrim antinjerëzor dhe është cinik. Është antikushtetues sepse është dhënë një vendim nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Jeni në pamundësi juridike për t’i dhënë zgjidhje kësaj çështjeje. Nuk janë 7 mijë, por 11 mijë persona që preken. Qëkur keni ardhur në pushtet keni mbajtur një qëndrim partiak në lidhje me sistemin e pensioneve”, - deklaroi Malaj. “Keni gjashtë vjet që nuk i jepni zgjidhje kësaj çështjeje, duke lënë pa lekë shtresat e prekura. Ju nuk jeni për zgjidhje përderisa për kaq kohë nuk dhatë një zgjidhje. Gjërat nuk zgjidhen politikisht dhe në mënyrë partiake”, - theksoi Malaj.
Pandeli Majko
“Ligji i 2005-s, me asistimin e NATO-s”
Ish-ministri i Mbrojtjes, Pandeli Majko, ka kundërshtuar ministrin Bode duke deklaruar se ligji për pensionet e ish-ushtarakëve, i miratuar në 2005-n, kur PS-ja ishte në pushtet, ishte miratuar me 100% të votave, edhe nga vetë Bode. Sipas tij, ky ligj është bërë nën asistencën e NATO-s. “Ministri Bode gënjen. Na thatë se ne socialistët, në maj të 2005-s, duke ikur, miratuam një ligj që ishte një bombë për sistemin e sigurimeve në Shqipëri. Ligji i 2005-s është ligji fundor për pensionet e ish-ushtarakëve dhe është bërë me asistimin e NATO-s. Ne kishim miratuar pensionet suplementare për forcat ajrore, pastaj për nënujësit dhe në 2005-n, pa asnjë votë kundër, miratuam ligjin që Bode e konsideroi si bombë”. - theksoi Majko.
24 Dhjetor 2010