E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministrat e diktaturës dhe përballja sot me të vërtetën

12-08-2011 / Nga Mërgim Korça

Në vend të një replike me Themie Thomain

Do t’i nis këto radhë me një paralelizëm shumë më gjithëpërfshirës nga sa do t’i takonte titullit që kam përzgjedhur për këtë shkrim.  Mendimtari i shquar, Hirësia e Tij Baba Rexhebi, duke i u referuar autokritikës botuar në “Gazeta Republika” nga ana e  ish anëtarit  të Byrosë Politike si edhe Prokurorit (PERSEKUTORIT) të Përgjithshëm të Shqipërisë, Bedri Spahiut fillë mbas shkërmoqjes së diktaturës, shprehet si vijon :“Gjatë gjithë jetës jam lutur për Bedri Spahinë me që ai ka shumë nevojë t’i lutemi Zotit për të se ka shumë, shumë krime e gjynahe për të larë.  Kur vjen pleqëria, normalisht edhe njerëzit më ateistë fillojn’e besojnë.  Me Bedrinë më vika edhe më keq se shikoj që, edhe në pleqërin’e tij të thellë, ai prapseprap gënjen dhe i transformon ngjarjet e prandaj e shoh se ai e paska akoma më shumë nevojën e lutjeve të mija ...”. E pashë të arësyeshme t’ia bëj me dije lexuesit, në tërësín’e tij,pohimin madhor të mendimtarit të shquar, Hirësisë Tij Baba Rexheb-it, në mënyrë që të vihet në dukje gjithëpërfshirja e këtij pohimi.  Po të ishte puna vetëm si në rastin e intervistës së shoqes Themje Thomai, ish ministre e Bujqësisë përgjatë diktaturës komuniste, mbase as nuk do t’ia vlente të ulesha e të shkruaja për të.  Dëgjuesi apo lexuesi i vëmëndshëm i intervistës së saj, vetëm duke i pasë njohur rrethanat, faktet si edhe personazhet, pak a shumë arrin në përfundime themelore rreth saj.  Mirëpo dy janë arësyet që më shtynë të shkruaj:
Së pari dhe kryesorja, sepse mbas njëzet viteve të shkërmoqjes së diktaturës dhe vendosjes së pluralizmit, nga një farë ndrojtjeje fillestare e cila i pati mbajtur disi të frenuar ish personalitetet e kohës së diktaturës si edhe persekutorët e asaj kohe të dilnin publikisht me pikëpamjet e tyre, dora dorës në shtyp si dhe ndër ekranet televizive dendur e më dendur, pikërisht ajo kategori po na dalin me shtrembërime të së vërtetave e na shesin moral duke na mbajturleksione rreth demokracisë !(?)
E po ai diktator së fundi botoi vëllimin “Jeta ime“faqet e të cilit përshkohen nga një frazeologjí e një krijese jo më burrë jo se jo, por një përçudníe cila veç krijesë ngjalë-dhelpërmund të quhet që të vërtetat e shkuara i fsheh, i shfytyron, u kalon anash pa i përmendur ose, ç’ësht’edhe më e keqja ... gënjen në mënyrë të mirëfilltë me shpresë se koha, (në drejtim të harresës), si edhe përsëritja, (si ajo pika e ujit që e çpon gurin), do t’a bëjnë të tyren, në favorin e retushimit të kuadrit të diktaturës komuniste, i cili ngado që t’a shikosh ... pikon gjakviktimash! E ky përbindësh gënjeshtrën e përdor me mjeshtrí madhore i nisur nga bindja e tij se “... sadó që të gënjejë, diçka do të mbetet !”
Arësyeja e dytë e cila më shtyn të shkruaj rreth intervistës shoqes Themie Thomai, ish ministres së Bujqësisë për 13 vite radhazi gjatë kohës së diktaturës kuqe, janë disa fakte si edhe ndodhí të ngjara mes saj edhe meje personalisht, të cilat kur t’i mësojë lexuesi i paindoktrinuar dhe i drejtpeshuar, do t’u hedhin një dritë të re pohimeve të saja të sot e kësaj dite.
Vijmë tashti tek intervista e paradokohshme e zonjës Themie Thomai,për të cilën dua të  jem krejtësisht i paanshëm, mbase edhe deri në naivitet të skajshëm.  Prandaj,në rastin e saj dua të veçoj nga pohimi i Baba Rexheb-it për Bedri Spahiun, vetëm formulimin se ... ajo prapseprap gënjen dhe i transformon ngjarjet !  Mbi këtë bazë detyrimisht edhe ta gjykojmë intervistën e saj. E fillojmë nga vetë titulli i intervistës në fjalë: “Përplasjet e mia me Enverin dhe Mehmetin për bujqësinë”. Duke u ndalur në disa konsiderata rreth përgjigjeve të zonjës Themije Thomai e doemos pastaj duke i a paraqitur lexuesit edhe përjetime personale në praní dhjetra dëshmitarësh. Vetë titulli, duke i drejtuar kujtimet e saja ndaj dy prej satrapëve aq të egër sa që edhe kur i ka pasë përmendur brenda mureve të shtëpisë së saj z-nja Themije, para emrave të tyre vinte cilësorin shoku Enver si edhe shoku Mehmet, lexuesit të vëmendshëm i a nënvizon faktin se kjo mungesë etike mirësjelljeje e saja bëhet me qëllimin e mirëfilltë që brezat e rinj, 30-vjeçarët e sotëm si edhe ata që do të pasojnë, të ndikohen nga kjo trimërí e saj imagjinare! Pyetjes së intervistueses “Si pjesë e qeverisjes së kohës, a ishit e ndërgjegjëshme se Shqipëria udhëhiqej nga një diktaturë ?”, z-nja Themie Thomai jo që nuk i jep përgjigje të drejtpërdrejtë, por e anashkalon ... pa thënë asgjë.  Ja shprehimisht edhe përgjigja e saj : “Kur kam pasur detyrën si ministre Bujqësie ka qenë një tjetër kuadër ligjor, ka qenë mënyra e pronësisë tjetër e për rrjedhojë edhe mendësía ishte tjetër.  Nuk më ka shkuar mëndja kurrë që të isha disidente e sistemit, por vërejtje dhe kritika për punën kam pasur gjithmonë ...”  Në kuadrin e pozicionimit politik, z-ja Themie Thomai ishte anëtare e KQ të PPSh.  Sa i takon funksionit shtetëror, drejtuese dikasteri qeveritar.  Por ajo mundohet të na shpjegojë se as kish gisht në atë që ajo e quan “kuadri ligjor”, aq më pak lidhur me “çpronësímin e pronarëve të ligjshëm”, pa le të kishte ajo përgjegjësí lidhur me “mendësinë” e krijuar !(?)  Sinqerisht, tek i lexoj pohimet e saja mua, bashkëkohësit të saj, më duket se kam dalë mendjeje dhe tek ajo pohon se as nuk i paska shkuar kurrë mëndja të ishte disidente ... thuajse e humbas toruan fare !   I kërkojnë të shprehet në se ka qenë diktatorial sistemi, në përbërjen e drejtimit të të cilit ajo ka qenë nga personat kryesorë si nga ana politike edhe administrative, e ajo pranon se nuk ka qenë disidente por vërejtje dhe kritika ka patur gjithmonë!  Si ndjehem unë tashti, tek i lexoj këto pohime ?  ISH-PËR-DJE-RRË !  Pavarësisht se z-ja Themije jam i bindur se nuk e di kuptimin e këtij caku gjuhësor por, po të mos reagoja unë duke i u përgjigjur, së bashku me kategorinë shoqërore në të cilën bëj pjesë, duhet ta ndienim veten tamam të asgjësuar prej saj !  Po, po, se të nëpërkëmbur kemi qenë aso kohe, por që të na SHPËRDJERRË ajo edhe sot, jo.  Duhet që brezat e rinj t’i mësojnë të vërtetat ashtu si kanë qenë e jo si na serviren sot.  Përgjatë intervistës së saj z-nja Themije shprehimisht pohon edhe “Ka pasur shumë vendime asokohe që merreshin nga qeveria dhe që unë i kam kundërshtuar me të madhe.” 
Në vazhdim gazetarja i a drejton z-njës Themije pyetjen “Keni drejtuar ministrinë e Bujqësisë në kohën kur shqiptarët ishin më të varfër se kurrë dhe dyqanet fare të zbrazura.  Nuk kishte prodhim apo ishte çështje politikash ?”Ja se ç’thotë z-nja Themije Thomai shprehimisht : “Kam drejtuar një sektor të suksesshëm dhe faktet janë të dokumentuara. Në ato vite ne siguronim 85% të produkteve ushqimore në vend.  Por, që nuk është faji i bujqësisë apo i kooperativave, mendoj se ishte gabimi i atij vendimi të qeverisë që u muar pa dijeninë e ministrisë që unë drejtoja, për tufëzimin e bagëtive.  Kjo shkaktoi një tronditje të madhe të furnizimit të tregut në prodhimet bujqësore dhe blegtorale.” 
Përgjigja që jep ish ministrja e Bujqësisë,sot në 2011, tamam që më lë shtang.  I flitet për një realitet tejet kokëfortë “dyqanet ushqimore fare të zbrazura”, e ministrja kundërvihet me “Në ato vite siguronim 85% të produkteve ushqimore në vënd dhe faktet janë të dokumentuara”!(?)Pa le kur thekson se “Nuk ishte faji i bujqësisë apo i kooperativave.”(?)  Ajo edhe sot vazhdon të mos e kuptojë, (ose akoma më keq, këmbëngul në gabim), duke mos e patur të qartë njërin nga ligjet themelorë të ekonomisë :  Mungesën e shtysës INTERESIT PERSONAL në ekonominë kooperativiste socialiste !
Kurse duke këmbëngulur në faktin se “Zbatimi i tufëzimit shkaktoi tronditje të madhe të furnizimit të tregut në prodhimet bujqësore dhe blegtorale”, mirë tronditja e furnizimit të tregut me prodhime blegtorale, po mangësín’e prodhimeve bujqësore ç’e justifikon ?
Dështimi kudo në botë i ekonomive socialiste tashmë nuk është një çfaqje e cila kërkon thellime të mëtejshme shkencore.  Fatlumë ata popuj ku udhëheqësit e tyre dijtën t’i parashikojnë pasojat dhe nuk ranë në kurthin e idealizmave të pathemelta të parajsës socialiste.  Kurse sa u takon përgjigjeve që jep akoma sot z-nja Themije Thomai, për ata që nuk e kanë njohur, u dëshmon se vetëm mungesa e përgatitjes së saj shkencore ka bërë që ajo as atëhere dhe as sot, nuk arrin që nga të dhënat, duke i përpunuar ato, të arrijë tek sinteza !  T’i kërkosh asaj këtë gjë është jashtë mundësive të saja.  Mos t’a ngarkojmë atë me më shumë se sa ka mundësi të mbajë ! 
Vazhdojmë edhe me nja dy konsiderata të tjera.  Kur pyetet z-ja Themije Thomai lidhur me dënimin e veprimtarisë së ish kryeministrit Mehmet Shehu si edhe ish ministrit Kadri Hazbiu, ajo pohon e thotë “Unë për vete nuk kam folur në ato mbledhje, madje në mënyrë të heshtur nuk i kam besuar shumë.  Por, për sa kohë që diskutohej çështja, vendimi ishte marrë me kohë ...”.  Lidhur me përgjigjen e saj kaq naive në dukje, po e pranojmë se populli nuk e ka parasysh se z-ja Themije Thomai,duke qenë asokohe anëtare e KQ të P.P.Sh.-së, megjithatë nuk kishte lidhje me vendimet partiake.  Por a ka se si ajo të mundohet realitetin ta shtrembërojë deri në atë masë kur edhe më të rinjtë i kanë parë në televizion reportazhet e atyre mbledhjeve ku z-ja në fjalë, e ngritur në këmbë e duke duartrokitur me vrull të madh, bëhej njësh me sallën rreth replikave kërcënuese të Enver Hoxhës ndaj Kadri Hazbiut ?!
Kur e pyet gazetarja në se konsistonin sakrificat e z-njës Themije Thomai, përgjigja vjen aq befasuese sa sinqerisht duket sikur vjen nga një galaktikë tjetër dhe jo nga një drejtuese rangu të lartë udhëheqjeje partiake si edhe shtetërore, përgjatë diktaturës komuniste.  Ja pra përgjigja e z-njës Themije:  “Të besuarit e një posti politik nuk ishte vetëm një privilegj, njëherësh ishte edhe sakrificë. 10 vjet kryetare kooperative dhe 13 vjet ministre, ishin 23 vite sakrificë. Ikja në mëngjes herët nga shtëpia dhe vija në darkë vonë. Fëmijët e mi, bashkëshorti im, nuk kanë qenë si gjithë të tjerët, që do të dilnin për shëtitje ose ndonjë xhiro. Këto gjëra ishin të munguara për kohën dhe për të gjithë pjesëtarët e familjes ishte sakrificë.”  Për anë këtij pohimi të z-njës Themije Thomai do të radhis dy realitete dhe lexuesi, duke bërë krahasimet përkatëse, të nxjerrë edhe përfundimet. Pararendësi i z-njës Themije, ish ministri i Bujqësisë Pirro Dodbiba, për një pozicionim shkencor-profesional jo konform udhëzimeve të udhëheqjes partiake, (vërtet u përjashtua si kandidat Byroje Politike por nuk u përjashtua nga partia), duke përfunduar ekonomist në Fermën e Llakatundit.Sektorëve të fermës ai u shkonte gjatë dimrit i mbathur me çizme llastiku deri rrëzë kofshe.  Doemos në Llakatund e ndoqi edhe familja e tij.  Besoj se ky fakt hedh dukshëm dritë rreth realitetit të atëhershëm dhe fantazisë që kërkohet të shitet sot si e vërtetë e asaj kohe, lidhur me PËRBALLIMET ME ENVERIN DHE MEHMETIN nga ana e z-jës Themije Thomai !  E tepërt të zihen në gojë krahasimet mes sakrificave të dy familjeve të ndërsjella.  Kaq sa për të qenë në të njëjtin emërues të përbashkët tek trajtohen ballafaqimet trimërore, nga njera anë, si edhe sakrificat personale dhe të familjes, nga ana tjetër !  Sepse po të ndalemi e të shikojmë se si duhet trajtuar problemi i sakrificave të bëra nga e gjithë familja e ish ministres z-jës Themije Thomai nisur nga mendësía e asaj kohe, (për të cilën ajo e konsideron veten krejtë jashtëloje e përgjegjësije), ç’ti zinim më parë në gojë ish shoqes, ndërsa sot z-jës së nderuar ?  Nuk e kish larg Grabianin nga Këmishtaj ish ministrja, ku ishin të internuara familje të tëra, kryefamiljarët e të cilave ishin dënuar me dënime kapitale ose me burg për agjitacion e propagandë pa asnjë fakt por thjeshtë bazuar në çpifje, dhe familjet e tyre u kalbën internimeve!  Le t’a lexojë z-ja Themije ditarin e Gjon Markagjonit të Ri.  Fëmijë gjashtëvjeçar e internuan me gjithë familje dhe 53 vjeç ai doli nga internimi !   Ngelet rast tanimë të flitet për sakrifica sepse nuk dilej xhiro bulevardit?!  Kaq lidhur me konsideratat rreth intervistës.  Vijmë tek dëshmitë.
Një nga ditët e para të shkurtit të vitit 1981 më njoftojnë se më kërkonte urgjentisht Sekretarja e Parë e rrethit, shoqja Lenka Çuko, në zyrën e saj.  Më priti mirë dhe pa humbur kohë më dorëzoi një fletë letre mbi të cilën ishte vizatuar me dorë të lirë një figurë gjeometrike në formë trapezi (me bazë të madhe nga lart). Tri përmasa kishte figura :  baza e madhe 45 cm., e vogla 10 cm. dhe lartësia e trapezit  45 cm.  E merr me mëndje se kush e ka vizatuar, më pyeti Sekretarja e Parë ?  Doli në shesh se vetë kryeministri Mehmet Shehu e kishte vizatuar dhe e kishte porositur që të ma jepte mua skicën me porosinë personale të kryeministrit i cili kërkonte nga unë ta projektoja dhe ndërtoja një makineri e cila të hapte një vijë kulluese me përmasat e cilësuara në skicë. 
Pa hyrë në detaje, pengesa si edhe hollësira, erdhi dita kur kolaudimin e makinerisë në praktikë do të vinin ta vlerësonin shokë të udhëheqjes nga Tirana. E çuam makinerinë në një parcelë të kooperativës Golemit të caktuar nga Seksjoni i Bujqësisë i Rrethit dhe po prisnim të vinin ata që do ta gjykonin funksionalitetin e saj.  Ndërkohësisht erdhën dhe u grumbulluan me dhjetra agronomë, kooperativistë si edhe specialistë të ndryshëm të rrethit kureshtarë ta shikonin makinerinë në punë.  Nga Tirana erdhi Muho Asllani, anëtar i Byrosë Politike, i shoqëruar nga ministrja e Bujqësisë Themije Thomai, kurse nga rrethi i pritën sekretarja e parë Lenka Çukua, si edhe sekretarë të Komitetit Partisë e shefa seksjonesh nga Komiteti Ekzekutiv i Rrethit.  Mbasi iu dha urdhri, u nis traktoristi dhe makineria po e hapte dora dorës vijën kulluese.  Profili i vijës dilte i shkëlqyer, sipas mendimit të specialistëve të pranishëm e ndërsa Lenka Çukua së bashku me Muho Asllanin po më përgëzonin ngrohtësisht, ministrja e Bujqësisë Themije Thomai u avit tek vija kulluese e porsaçelur dhe me ton të ftohtë dhe të prerë tha pak a shumë “ ...më çudit more inxhinier Mërgimi si nuk e kupton ti se kjo vijë ka dy të meta kryesore?  E para, porsa të bjerë shi faqet e saja do të fillojnë të shemben se kanë pak pjerrësí.  E dyta, ku të ka çuar mushka dhe na ndërton një vijë kulluese me bazë 10 cm, ku nuk ka si të futet kooperativisti me gjithë çizmet e tija ta pastrojë vijën me bel ?Ama të bukur zbatim shkencor na solle të shikojmë !”  E kafshova gjuhën mos ta fyeja ministren, (duke e ruajtur së paku respektin formal), por ama i u drejtova po me atë ton të ashpër siç m’u drejtua ajo mua dhe i thashë se ajo e kish gabim që më drejtohej asisoji mua nisur nga fakti se unë kisha një porosi me shkrim nga dora e vetë kryeministrit Mehmet Shehu dhe nxora nga xhepi e i a avita para syve skicën duke i shtuar: Ndryshomëni përmasat e skicës dhe brenda tri ditëve të vini e ta shikoni vijën që doni ju të çelur po në këtë parcelë! Ajo u rrudh, mblodhi supet, dhe duke e tundur kokën në drejtim të Tiranës u detyrua të thotë “... këtë nuk e kam unë në dorë”. Në atë çast nuk e di se si u përmbajta e nuk i thashë më shumë, ashtu siç e meritonte, (se në të tilla rrethana frika nuk është më dominante), po megjithatë e fyeva, ashtu siç ma bëri borxh, tek i thashë me egërsí:   Epo ta dish moj shoqja Themije se sa kohë që kjo skicë do të ketë këto përmasa, (duke ia tundur skicën përpara fytyrës së saj), edhe vija kulluese do t’u përgjigjet atyre madhësive !   Në atë çast, duke parë se situata po merrte një drejtim të padëshiruar, ndërhyri Lenka Çukua, (ku si asaj edhe M.Asllanit nuk ua harroj kurrë drejtpeshimin që treguan se ndryshe jam i bindur se nuk do të kishte qenë pa pasoja ndaj meje qëndrimi im ndaj ministres), dhe i thotë me ton të prerë :   “...ti shoqja Themije e ke shumë gabim që i drejtohesh në këtë mënyrë inxhinier Mërgimit për të cilin kemi shumë respekt.   Ti e di fare mirë se skicën shoku Mehmet ma dha mua në dorë dhe unë ia dhashë inxhinierit.”Ky pozicionim i Lenka Çukos në krahun tim e bëri kthesën dhe fill pas saj ndërhyri Muho Asllani me ton akoma më paqtues duke m’u drejtuar mua :  “... ty shoku inxhinier të lumtë që në një kohë rekord ndërtove një makineri që kryeministri ka dhjetë vite që e kërkon nga uzinat e nuk po ia ndërtojnë.   Do të takohesh ti me shokun Mehmet, lësho ti pé deri atje ku mundesh e të lëshojë edhe kryeministri pé, deri ku t’a mendojë ai të pranueshme ...simbas tij!”. Kjo dëshmia ime e parë lidhur me qëndrimet e preratë ish ministres Bujqësisë z-njës Themije Thomai ndaj “Mehmetit”, (siç shprehet ajo sot në 2011-ën).
Me datën 17 Qershor të vitit 1981, në një parcelë të Fermës së Cërrikut në rrethin e Elbasanit, u bë demonstrimi i çeljes vijave kulluese. Në njërën anë të parcelës ishte ngritur një tendë e gjatë dhjetëra metra e mbuluar me degë edhe gjethe, nën të cilën kishin ndërtuar me dërrasa një tavolinë po aq të gjatë me nga të dyja anët ndenjëse po druri.  Pikërisht atje zunë vend ish kryeministri Mehmet Shehu e me radhë ish zv/kryeministri Adil Çarçani, ish anëtari i Byrosë Politike Muho Asllani, ish ministrja e Bujqësisë Themije Thomai, ish Sekretari i Parë i Elbasanit Pirro Kondi e me radhë ish kryetarë komitetesh ekzekutive rrethesh, ish zv/ministra e drejtorë drejtorish ministrish si të Bujqësisë edhe të Industrisë, ish drejtorë institutesh shkencore, e me radhë specialist’edhe agronomë të ndryshëm.  Pa frikë mbi 200 persona të pranishëm.  Pa u zgjatur fare me hollësira, ish Kryeministri Mehmet Shehu e vlerësoi lart cilësin’e vijës kulluese që bëri makineria e SMT-së Lushnjes, (gjë e cila u pa shquar në ovrat ku kishte lagështirë), më thirri mua, që as nuk isha ulur në tavolinë, të shkoja e të ulesha karshi tij, e mbasi më përgëzoi shumë ngrohtësisht e mori fjalën edhe mes tjerave tha shprehimisht :  “... Sot jemi mbledhur këtu lidhur me një problem shumë serioz të bujqësisë :  kursimin e tokës përgjatë hapjes së vijave kulluese.  Në qoftë se këto vija kulluese në rang republike do të hapen me këtë sistem që na u paraqit sot, me makinerinë e projektuar dhe ndërtuar nga inxhinier Mërgim Korça, ju a them me bindje të plotë se çdo vit do të merrnim, për të njëjtën sipërfaqe të mbjellë me të lashta, një prodhim shtesë sikur të kishim mbjellë dhjetra mijëra hektarë më shumë!  E prandaj e theksoj se ti shoqja Themije si ministre e Bujqësisë dhe dikasteri që drejton, ta kini për turp që nuk i a kini ngritur këtë problem inxhinier Korçës por jemi ne që i a kemi shtruar.  Sot kemi ardhur këtu tre anëtarë të Byrosë Politike, dhe mirë bëmë që erdhëm se problemi ka rëndësi të madhe kombëtare.  Por ju shkunduni dhe përballojuni me problemet ...”
Tashti që po u vjen fundi konsideratave ndaj intervistës z-njës Themije Thomai, shikuar edhe nga këndvështrimi i pasuruar me dëshmitë e mija që rasti e deshi i kam edhe të drejtpërdrejta rreth qëndrimit të saj ndaj ish Kryeministrit Mehmet Shehu. Dëshmija e parë, pasqyruese e një qëndrimi pa personalitet të ish ministres Bujqësisë duke mos guxuar të ndryshonte përmasat e vijës kulluese, ndonëse e bindur nga përvoja e saj se ajo vijë pas shirave të parë do të shembej, në mos gjë tjetër por tregon se ajo i a bënte hyzmetin postit të saj duke i u shmangur çdo ballafaqimi me ish Kryeministrin. Kurse në vazhdim dëshmia e dytë ku, në praní të një moríe pjesëmarrësish në takim, heshti tek ish kryeministri Mehmet Shehu i tha “...ti shoqja Themije si ministre e Bujqësisë dhe dikasteri që drejton, ta kini për turp që nuk i a kini ngritur këtë problem ...” flet qartë se ish ministrja e Bujqësisë nuk ndryshonte aspak nga radha e drejtuesve paçin qenë ata drejtues politikë apo shtetërorë, (e z-ja Themije i kishte të dyja funksionet), të cilët sa më lart u ngjiteshin shkallëve të përgjegjësisë aq më KONFORMISTË  bëheshin. 
Do të shtoj tashti edhe një dëshmi thjeshtë rreth saj personalisht. Kur e pyet intervistuesja “... Pas rënies së diktaturës, ju janë përplasur dyer në fytyrë ...” z-ja Themije përgjigjet “ Diçka e kam ndjerë e më ka ardhur keq.  Kur u miratua ligji 24/1, mbeta papunë.  Unë isha agronome e lartë e diplomuar dhe doja të punoja në profesionin tim.  Pse duhej ky lloj shpërblimi për të qenë papunë”?
Ja tashti dëshmia e ime.  Një ditë më vjen në zyrë sekretari i II i K.P. rrethit Halim Demiri i cili mbulonte problemet e bujqësisë në rreth.  Mbas përshëndetjeve më thotë shprehimisht “ Inxhinier, a do të ma bësh një nder ?”  Unë i thashë ku ta gjeja t’i bëja një nder atij.  (I a thashë me gjithë zemër se ai ishte një burrë i matur, i thjeshtë dhe i drejtpeshuar e gjithmonë i prirë t’i zgjidhte situatat pozitivisht).  Atëbotë ai e futi dorën në xhepin e brendshëm të xhaketës, nxori një librezë universitare studenti dhe më tha, duke ma zgjatur librezën, se ... një firmë donte nga unë.  Unë për një çast shtanga.  Atij i ngeli krahu i shtrirë me librezën dorë.  I mbetur ngushtë e zgjata dorën dhe e mora librezën. Kur e hapa, ç’të shikoj?  Fotografia e Themije Thomait, kryetares së kooperativës Këmishtajt. Ngela shumë ngushtë por u detyrova dhe i thashë z. Halim se kurrë nuk e kisha bërë një veprim të tillë që të firmosja librezë studenti pa e marrë atë në provim! Ai vazhdoi të më lutej e sa më shumë lutej ai, aq më ngushtë ndjehesha unë.  Themija e kishte ditur se kujt t’ia kërkonte atë nder.  Mirëpo ndërgjegjja e ime nuk ma lejonte të vendosja firmën time si pedagog për një student i cili nuk kishte ardhur të dëgjonte asnjë orë leksioni në lëndën e Mekanikës Bujqësore ! E theksoj, nuk kishte vënë këmbë në klasë!  Të gjitha këto i a shpjegova sekretarit duke i shtuar edhe “... Vere veten tënde në pozitën time, shoku Halim.  Ç’më ngelet mua para studentëve të tjerë të kursit agronomi të vitit katërt, kur ata ta mësojnë se studentja Themije Thomai, pa shkelur në klasë ...e ka marrë provimin !(?)”  Sekretari i ngelur ngushtë më tha: “... inxhinier të kuptoj shumë mirë se në ç’pozita ndjehesh. Ke plotësisht të drejtë dhe besoma se po largohem me respekt të rritur ndaj teje”. A ka nevojë të shtoj se z-ja Themije Thomai mund ta ketë si dokument diplomën e agronomes së lartë por ... pa nënshkrimin e titullarit të asaj kohe të Filialit të Institutit të Lartë Bujqësor të Lushnjes, të lëndës Mekanika Bujqësore. Për disiplinat e tjera, përbërëse të lëndëve që përfshiheshin në programin akademik për t’u marrë diploma e agronomes së lartë, sinqerisht nuk bëj dot asnjë insinuatë.
NË VËND TË PASTHËNJES :  Fantazitë rreth përballjesh imagjinare të djeshme, nuk kanë kuptim sot, madjé e dëmtojnë të vërtetën !  Prandaj po i mbyll këto radhë me një maksimë të Einsteinit: “Bota e ka marrë tatëpjetën për faj të qeveritarëve keqbërës por përgjegjësía bije mbi njerëzit e ndershëm të cilët vështrojnë dhe nuk ndërhyjnë!”.

Shënim: Titulli është i redaksisë. Titulli origjinal është: “Themie Thomai përballë diktatorëve si ministre e diktaturës, ne përballë saj dhe të vërtetës”.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›