E Shtunë, 31 Tetor 2026

Analogji oportuniste me ngjarjet e Londrës

12-08-2011 / Nga Lavdrim Lita

Ka ca ditë që të gjitha gazetat britanike kanë si lajm të parë revoltat që kanë prekur Londrën, dhe mandej  janë zgjeruar sikur të ishin njolla leopardi në të gjithë vendin. Kryeministrit anglez, David Kameron informoi dje Parlamentin për trazirat e fundit anë mbanë vendit, duke dënuar me një gjuhë të ashpër  këto rebelime urbane, si të papranueshme. Ndërkohë grabitjet dhe vjedhjet kanë prekur dy qytete të mëdha si Mançester dhe Birmingem, edhe pse 16 mijë forca policie janë në terren dhe të autorizuara të mbajnë rendin, edhe me metoda të ashpra. Megjithatë në Mbretërinë e Bashkuar ende janë të hapura debatet sesi dhe pse filloi revolta, dhe cili ka qenë përgjegjësi për këtë çështje. Sipas një opinionisti të gazetës së majtë “The Guardian”, ai që dënon dhunën duhet më parë të ndalojë për një moment dhe të mendojë që në Britaninë e Madhe “10 përqind e vendit jeton 100 herë më mirë në krahasim me të varfrit”, dhe që “mobiliteti social është më i keqi se në cilindo vend tjetër”. Ndërsa një tjetër komentator i Guardian shton se “kjo që po ndodh është kur njerëzit nuk kanë asgjë, kur personat bombardohen nga reklamat me gjëra që nuk mund t’ia lejojnë vetes dhe që nuk kanë asnjë motiv të besojnë se do t’i kenë në të ardhmen”.
Kurse Max Hastings, nga faqet e gazetës së djathtë Daily Mail, nuk është dakord me ç’ka thanë kolegët e Guardian. Sipas Hastings, rebelët “janë thelbësisht kafshë të egra”, që “u përgjigjen vetëm disa impulseve instinktive dhe kafshërore”. Nuk janë viktima, por “një peshë e rëndë për shoqërinë”, dhe faji për gjithçka që po ndodh vjen “nga kultura jonë groteske dhe shfajësuese”. “Vetëm arsimimi” mund “të bëjë që këto kafshë të dinë sesi të sillen”. Sipas komentatorit të gazetës së djathtë “Telegraph”, zemërimi ndaj qeverisë rritet nga ora në orë, dhe sidomos mes pronarëve të bizneseve që ndjehen të frikësuar nga grabitjet me dhunë, çka po e ndajnë ndysh shoqërinë londineze. Komunitetet shumë-kulturore një herë e një kohë të qeta, tani po organizojnë banda fisnore për të mbrojtur lagjet e tyre. “Ajo që kemi nevojë më shumë sot është të rivendosim rendin dhe rregullin nëpër rrugë”, përndryshe disa gjëra vetëm se do të përkeqësohen.
Britania e Madhe po eksperimenton “efektin Katrina”, shkruan e përditshmja e qendrës së majtë “Indipendent”. Megjithatë, “nuk bëhet fjalë për një protestë politike, dhe as për ndonjë reaksion ndaj vendimeve për shkurtime në sektorin publik”. Përkundrazi ne jemi përballë akteve të një minorance që për gjenerata të tëra janë injoruar “nga ata që merren me edukimin, me asistencën sociale dhe shëndetësore, dhe të banesave sociale”. Sipas Indipendent, revoltat që po tronditin vendin mund të kenë një anë pozitive:”po na japin mundësinë për t’u marrë seriozisht me trajtimin e turpshëm që i kemi bërë të varfërve dhe të margjinalizuarve”.
***
Sigurisht ngjarjet që po tronditin Londrën dhe qytetet e tjera angleze po pasqyrohen me shumicë në media shqiptare, e cila në vështirësi të dukshme informative po i riprodhon të zgjeruara dhe të detajuar këto ngjarje. Madje disa media të majta ose afër Edi Ramës mundohet t’i krahasojnë me ngjarjet e 21 janarit, sidozot për të goditur maxhorancën me analogji “Londra në flakë, por nuk ndodh si 21 janari në Tiranë”. Dallimet e dy ngjarjeve janë të dukshme për të gjithë, sepse në Londër protestat nuk janë politike dhe nuk po sulmohet kryeministria siç ndodhi në Tiranë për të marrë pushtetin, por urrejtja dritëshkurtër ndaj “armikut politik” dhe loja me emocionet e lexuesve ka përparësinë në përqasjen e ngjarjeve.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›