Ndërron jetë deputeti i Partisë Demokratike, Gëzim Dibra. Kryetarja e Kuvendit, Topalli i shpreh ngushëllime familjes

Deputeti i Partisë Demokratike në Qarkun e Shkodrës, Gëzim Dibra është ndarë sot nga jeta, në moshën 55-vjeçare, si pasojë e një sëmundje të rëndë. Dibra ishte zgjedhur deputet në këtë qark në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2009.
Gezim Dibra rrjedh nga një familje me tradita të vjetra në fushën e aktivitetit privat. Ndër biznesmenët e parë në zonën e Shkodrës në fillimet e viteve ’90, dhe sot me biznesin më të fuqishëm në këtë zonë. Shumë i suksesshëm në krijimin e aktiviteteve private të reja. Mbështetës i vazhdueshëm i politikave të PD, për zhvillimin e biznesit dhe në veçanti për krijimin e vendeve të reja të punës.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka shprehur sot ngushëllimet për ndarjen e parakohshme nga jeta të deputetit Gëzim Dibra.
“Me dhimbje të madhe dhe hidhërim të thellë mësova për ndarjen e parakohshme nga jeta të deputetit Gëzim Dibra. Deputeti Gëzim Dibra ishte një deputet fisnik, me zemër të madhe dhe integritet të lartë. Si përfaqësues i Shkodrës ai punoi me sens të madh përgjegjësie dhe ndershmërie”- thuhet në mesazhin e kryeparlamentares Topalli të publikuar në faqen e Kuvendit.
Gjithashtu Topalli thekson se “në këto momente të vështira për nënën, bashkëshorten, vajzën e vogël 10 vjeçare, familjen dhe miqtë, dua të shpreh ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e njeriut të dashur. Kuvendi i Shqipërisë ka humbur një deputet që dallonte për korrektësinë dhe angazhimin serioz në detyrën e rëndësishme. Të gjithë ne, kemi humbur kolegun e veçantë dhe mikun e mirë. Lutemi Zotit që shpirti i tij të prehet në paqe!”- shkruan kryeparlamentarja Topalli në mesazhin e saj ngushëllues, drejtuar familjes së të ndjerit Dibra.