Ministrat i frikohen garës për Prishtinën

Asnjëri nga anëtarët “e fortë” të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) nuk po tregon guxim që të garojë për kryetar të komunës së Prishtinës në emër të kësaj partie.
Debakli që kishte pësuar ish-kandidati i PDK-së në Prishtinë, Astrit Salihu, në zgjedhjet fundit kundrejt atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka bërë që askush brenda partisë më të madhe në vend, të cilat mbajnë poste ministrore në Qeverinë Thaçi, mos të jetë i gatshëm që t’i hyjë garës zgjedhore në kryeqytet, shkruan Zëri.
Burime të “Zërit” të afërta me partinë e kryeministrit Hashim Thaçi, kanë thënë se PDK-ja e ka problem ta bindë ndonjërin prej ministrave Blerand Stavileci e Memli Krasniqi që të garojnë për kryetar komune, në garë me kandidatin e LDK-së, pasi që Prishtina edhe më tutje konsiderohet bastion i fortë i kësaj të fundit.
“Po e dinë se secili që kandidon është i djegtë qysh në fillim të garës, sepse, komuna e Prishtinës është bastion i fortë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, edhe nuk po janë të interesuar që të digjen, ashtu siç është djegur Astrit Salihu në vitin 2009”, ka thënë burimi.
Në fakt, në zgjedhjet e fundit lokale kandidati i LDK-së, Mustafa, pati arritur të fitojë pa balotazh në Prishtinë, përkatësisht t’i fitojë mbi pesëdhjetë për qind të votave, ndërsa kandidati i PDK-së, Salihu, rreth dymbëdhjetë për qind. Madje, i dyti në këtë garë pati dalë kandidati i Aleancës Kosova e Re, Vegim Gashi, i cili pati marrë rreth njëzetetre për qind të votave/Indeksonline/