I hapin kokën me plumba emigrantit

POGRADEC - Ditën e fundit të jetës së tij,m Toni Shyti, emigrant prej vitesh në Itali, e kaloi duke lyer shtëpinë e re, pa e menduar mbase për asnjë çast, pa u tharë ende boja në mure, shtëpia do të vishej në zi nga vrasja e tij. Dy plumba pistolete në kokë i dhanë fund jetës së 36-vjeçarit, i martuar, babai i një vajze të vogël me probleme shëndetësore në zemër. Plumbat vdekjeprurës i prenë jetën në mes Toni Shytit, pikërisht kur ai po kthehej në shtëpinë e sapoblerë nga familjarët e tij në afërsi të zonës së Varrezave të Dëshmorëve.
Ekzekutimi më i fundit i ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së të hënës, rreth orës 22.13, në qytetin e qetë të Pogradecit, jo vetëm që tronditi banorët për nga gjakftohtësia dhe makabriteti, por hapi edhe një hetim të gjerë të policisë lokale, e cila mbërriti në vendngjarje rreth 5 minuta pas krimit të rëndë. Grupi hetimor që kryesohet nga drejtori i Policisë së Qarkut të Korçës, komisar Emri Vata, brenda pak orësh shoqëroi në komisariat rreth 60-70 persona, të cilët dyshoheshin se kishin dijeni për ngjarjen ose mund të jepnin të dhëna të dobishme për të zbardhur motivet e krimit të rëndë. Pas gati 24 orësh hetime, mësohet se kanë rënë pistat e shumta hetimore të ngritura fillimisht, dhe e vetmja pistë që po i mëshohet fort në hetim, është ajo e një vrasjeje të kryer si pasojë e ndonjë konflikti të bartur nga Italia. Sipas burimeve zyrtare të policisë lokale, mësohet se Toni Shyti për ta ka qenë një person “i pastër”, pa konflikte dhe pa asnjë informacion se mund të ishte i përfshirë në aktivitete të jashtëligjshme. Nga marrja në pyetje e personave të shumtë, nuk ka rezultuar që vetë Toni Shyti apo ndonjë familjar i afërt i tij të kishin pasur ndonjë konflikt të mprehtë, qoftë për motive pronësie, për motive personale apo dhe banale. Të njëjta burime sqaruan se ata janë gati të sigurt që nuk ka qenë as ngatërrim objektivi, pasi vrasja është kryer nga shumë afër. I riu me origjinë nga fshati Gështenjas mësohet se nuk kishte pasur asnjë konflikt, as në zonën ku ishte lindur dhe rritur mes halleve dhe varfërisë së madhe, dhe as gjatë kësaj jave që është kthyer nga Italia, pas një viti që iu kishte munguar familjarëve të tij. Gjatë javës së fundit ai nuk ka pasur asnjë konflikt as nuk ka shprehur ndonjë shqetësim, mësohet të kenë deklaruar të afërmit e tij. Mungesa e konflikteve dhe e problemeve në atdhe ka bërë që grupi hetimor të besojë se në fakt, vrasja ka lidhje me jetën dhe aktivitetin e Toni Shytit në Trevizo të Italisë, ku ai jetonte prej vitesh. Për këtë arsye, dje autoritetet lokale të policisë kanë kërkuar nëpërmjet zyrës së Interpol Tiranës që të lidhen me autoritet policore italiane, për të marrë më shumë të dhëna në lidhje me vitet e fundit të jetës së Shytit në veri në vendit fqinj. Deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, ende nuk ishte ndaluar asnjë person i dyshuar si autor i krimit të rëndë më të fundit të ndodhur në qytetin e Pogradecit.