E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministrat prezantohen me administratën, njihen mbi gjendjen

TIRANE-Pjesa dërrmuese e ministrave të rinj janë takuar me administratën ekzsituese të dikastereve që do të drejtojnë. Punonjësit kanë qenë të rregullt në paraqitjen e tyre në punë, duke respektuar oraret, madje duke qëndruar edhe përtej orarit zyrtar. Ndërrimi i titullarëve të ministrive po përjetohet me ankth nga administrata, sic ndodh zakonisht në raste të tilla, ndonëse nuk ka pasur ndonjë urdhër të brendshëm për lëvizje. Vetëm një pjese e titullarëve të rinj kanë marrë me vete shefat e kabinetit dhe këshilltarët për median. Ndërkaq që kanë zhvilluar mbledhje me shefat e drejtorive kryesore, duke u kërkuar informacion për situatën e përgjithshme të institucionit.

Kështu, në ministrinë e Financave, Shkëlqim Cani është takuar me administratën e tij, ndërsa po merr të dhëna mbi gjendjen e financave publike. Burime brenda institucionit bëjnë të ditur se ministri Shkëlqim Cani ka mbledhur drejtorët kryesorë për t’u dhënë direktivat për hartimin e paketës fiskale dhe buxhetit të vitit të ardhshëm. Ende nuk bëhen të ditura detajet, por mësohet se stafit i është kërkuar që të punojë duke marrë për bazë edhe orientimet e programit për këtë pjesë.

Në këtë dikaster, është emëruar tashmë shefi i ri i kabinetit, Spiro Brumbulli, këshilltari për median, Ardi Kola, si dhe dy këshilltare të ministrit Cani.

Ministria e Financave pritet të zhvendoset nga godina aktuale pranë kryeministrisë në godinën e ministrisë së Mbrojtjes.

Përsa i përket Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, të drejtuar nga Damian Gjiknuri, aty është prezantuar tashmë zyrtarisht sekretari i përgjithshëm Koli Bele, shefja e kabinetit Entela Cipa, si dhe këshilltari për median, Dardan Malaj. Ndërkaq që janë zhvilluar takime me stafin, përfshi këtu takimin e një ditë më parë të ministrit Gjiknuri me drejtorët e strukturat e varësisë, KESH, CEZ dhe OST. Godinën e këtij dikasteri, së bashku me ministrin Gjiknuri e ndan edhe Arben Ahmetaj, që drejton Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Tregëtisë dhe Sipërmarrjes. Ministri Ahmetaj ka emëruar Ori Kucin, si këshilltarë për median.

Ndërkaq në ish-ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit janë vendosur tashmë Eglantina Gjermeni, Ministre e Zhvillimit Urban dhe Turizmit dhe Edmond Haxhinasto, Ministër i Transportit dhe Infrastrukturës. Ministrja Gjermeni ende nuk ka bërë emërimet e saj, pasi bëhet fjalë për një dikaster të ri, ndërkohë që është në pritje edhe të ambienteve ku do të vendoset Ministria.

Në godinat ku janë vendosur nga dy ministri, puna kryesore është përqendruar në logjistikën e brendshme, kryesisht të sistemimi i kompjuterëve për punonjësit e rinj dhe ndarja e zyrave për drejtuesit.

(d.b/News24/BalkanWeb)
Lidhje te tjera VIDEO: Ministrat prezantohen me administratën

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›