Ministri Balla me strukturat në Durrës: Vijoni punën, sezoni turistik nuk ka mbaruar

Strukturat e Policisë së Shtetit të cilat merren me mbarëvajtjen e sezonit turistik janë udhëzuar ta vijojnë punën me të njëjtin intensitet, sepse sezoni nuk ka mbaruar.
Ky ishte udhëzimi që ministri i Brendshëm i dha njësisë së Durrësit në fundjavë (19 gusht).
“Kam ardhur së pari t’ju falenderoj për punën e mirë që keni kryer të gjitha forcat e përfshira në këtë operacion, do ta quaja unë, mbarëkombëtar, për mbarëvajtjen e sezonit turistik, por edhe t’ju kujtoj që sezoni është në kulmin e tij, sepse pushuesit do të vazhdojnë të frekuentojnë plazhet dhe ndërkohë që jemi edhe në situatën që një pjesë e pushuesve përmes trageteve po kthehen nga Italia dhe vendet e tjera të Europës, na duhet që kujdesin në të gjitha plazhet ta kemi me të njëjtin intensitet që e kemi pasur deri më tani. Të mos mendoni që pjesa më e rëndësishme e sezonit ka mbaruar,” u shpreh Balla.
Ministri gjithashtu tha se çdo punonjës policie duhet të jetë në çdo kohë gati për t’i ardhur në ndihmë çdo qytetari, edhe jashtë orarit të shërbimit.
“Nisur edhe nga një ngjarje që na ndodhi në Vlorë, ku njëri prej kolegëve tuaj dhe i imi, nëse doni ta quaj, Redin Çaushaj, edhe pse ishte jashtë shërbimit, mori përsipër detyrën, që i takon dhe ndërhyri, dhe në ndërhyrje e sipër u plagos dhe, për fatin tonë të mirë dhe të gjithëve, ai sot është jashtë rrezikut për jetën. Dua ta marr këtë si një shembull që në detyrën tuaj, një prej gjërave që gjithmonë ka ndikuar, do ta quaja për keq, është ajo shprehja ç’më duhet mua! Unë mendoj që atë shprehje duhet t’ia lëmë të shkuarës,” tha ministri.
Balla përgëzoi Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës për një sërë aksionesh, të cilat kanë çuar përpara ligjit disa autorët, dhe kërkoi të shtohet vëmendja dhe kontrolli.
Për ministrin e Brendshëm, tashmë ka nisur një epokë e re për Policinë e Shtetit dhe për rreth 10 mijë punonjësit e saj.
/rtsh.al/