E Martë, 3 Nëntor 2026

Himarë/ Dy në pranga pasi ndezën zjarr për kullotat, por dogjën dhjetëra hektarë

Policia ka shoqëruar dy persona me akuzën e zjarrvënies dhe djegies së dhjetëra hektarëve në fshatin Kudhës të Himarës.

Procedimit për shpërdorim detyre do i nënshtrohet po ashtu inspektori i pyjeve në bashkinë e Himarës, si edhe një bari i zonës që nuk bashkëpunoi për të treguar rrethanat e krimit, pavarësisht se kishte dijeni.

Autorët dyshohet se e ndezën zjarrin në një sipërfaqe pyjore të marrë me qira nga Drejtoria e Pyjeve dhe Kullotave në vendin e quajtur “Bathishtë”, me qëllim rigjenerimin e kullotës.

Por për shkak të erës, zjarri mori përmasa të mëdha duke u përhapur në hektarë të tërë sipërfaqe pyjore.

Në flagrancë u kapën dhe u arrestuan një 44-vjeçar, banues në Kudhës, Himarë, dhe nipi i tij, 29 vjeç, banues po në Himarë.

Në një njoftim shtypi, Policia e Shtetit bëri thirrje që qytetarët të mos ndezin zjarre në asnjë rast, pasi ky veprim përbën krim dhe ndëshkohet penalisht.

Për të denoncuar zjarrvëniet dhe për të evituar që flakët të marrin përmasa të rrezikshme, Policia apelon të kontaktoni numrin 112.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›