Ministri Hasani: Shqipëria hap katër ambasada të reja në vitin 2025

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ka bërë bilancin e kësaj ministrie për vitin 2024.
Ministri ka zbuluar se vitin që vjen, Shqipëria hap 4 ambasada të reja.
Në komunikimin e fundvitit me gazetarët, ministri Hasani tregoi se Shqipëria do të hapë ambasada në Bosnje-Hercegovinë, Indi, Indonezi dhe Kenia.
Hasani: Hapja e Ambasadave të Reja në Indonezi, Bosnje-Hercegovinë, Indi dhe Kenia. Këto hapje ambasadash përfaqësojnë një angazhim të fortë për të zgjeruar praninë e Shqipërisë në rajone strategjike dhe për të ndihmuar në rritjen e mundësive të bashkëpunimit ekonomik dhe diplomatik. Bashkëpunimi me këto vende do të kontribuojë në diversifikimin e partneriteteve ndërkombëtare dhe do të ndihmojë në avancimin e agjendës kombëtare të Shqipërisë në arenën globale.
Në vitin 2025, Tirana do të presë hapjen e dy zyrave të rëndësishme ndërkombëtare:
Bankës Evropiane të Investimeve dhe Organizatës për Zhvillim Industrial të Kombeve të Bashkuara (UNIDO), duke shënuar një hap të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve ekonomike dhe bashkëpunimit ndërkombëtar të Shqipërisë me institucione globale, duke ofruar mundësi të reja për investime dhe zhvillim ekonomik. Hapja e këtyre zyrave do të kontribuojë në mbështetje për sektorët strategjikë, si infrastruktura, energjia dhe teknologjitë e reja, duke stimuluar rritjen dhe modernizimin e ekonomisë shqiptare. Gjithashtu, kjo do të ofrojë mundësi për trajnim dhe ndihmë teknike, duke përmirësuar kapacitetet institucionale dhe rritur bashkëpunimin në nivel rajonal dhe global.
Ngritja dhe funksionimi i rrjetit të atasheve tregtar në Përfaqësitë tona diplomatike do të jetë një element thelbësor dhe mjet strategjik në promovimin, nxitjen dhe tërheqjen e investimeve të huaja direkte, rritjen e eksporteve, prurjet inovative dhe transformimin dixhital.