“Hetimi për Veliajn i qëllimshëm”, avokatët e kryebashkiakut: SPAK e detyroi të dëshmonte kundër vetes

Avokatët e Erion Veliajt kundërshtojnë hetimet që SPAK po kryen ndaj tij dhe familjarëve, duke i konsideruar si keqdashëse dhe të qëllimshme.
Madje pretendojne se kryebashkiaku i Tiranës dhe bashkëshortja e tij janë detyruar të dëshmojnë kundër vetes.
“Personat e thirrur me cilësimin “persona në dijeni” janë përballur me qasje kërcënuese dhe dhunë të stilit “sigurims”, duke u detyruar përmes presioneve dhe frikësimit të dëshmojnë kundër vetes. Edhe pse Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa janë de facto nën hetim, janë thirrur nga Prokuroria si “persona në dijeni” me qëllim që t’i detyrojnë të dëshmojnë kundër vetes ose anëtarëve të familjes, duke i privuar kështu nga e drejta e detyrueshme për avokat mbrojtës”.
Avokatët argumentojnë se përveçse procedimi penal është nisur mbi bazën e një kallëzimi anonim nuk është regjistruar me emrin e Veliajt, por veprimet hetimore janë kryer ndaj vetë tij dhe familjes së tij.
“Erion Veliaj dhe familja e tij janë vënë në hetim faktik që në muajin mars 2024, por ky fakt është mbajtur i fshehtë nga Prokuroria, me pretendimin se hetimi po bëhej “për veprën penale” dhe jo “kundër personit”. Megjithatë, veprimet hetimore të kryera kanë qenë të përqendruara realisht te persona konkretë, duke krijuar situatën e një hetimi substantivisht individual ndaj Erion Veliajt (dhe të tjerëve), pa e njoftuar zyrtarisht këtë status”.
Kërkesa për kontrollin në banesë dhe për sekuestrimin e telefonave është pa vendim gjykatë thotë Veliaj përmes mbrojtësve të tij.
“Telefoni është marrë jo vetëm pa vendim gjykate (madje gjykata nuk e ka pranuar kërkesën e prokurorit), por edhe pa pëlqimin e përdoruesit. Ai nuk është sekuestruar si një objekt me të cilin është kryer një vepër penale, por me qëllimin për të kërkuar të dhëna që mund të përdoreshin në një vepër të supozuar. Me fjalë të tjera, ka qenë një sekuestrim në kërkim të veprës, jo i provës për një vepër penale të përcaktuar”.
Avokatet e kryebashkiakut u treguan kritikë edhe ndaj informacioneve të publikuara në media./vizionplus.tv