E Hënë, 2 Nëntor 2026

Veliaj në hetim për 4 vepra penale, SPAK: Korrupsion aktiv dhe pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie

Një ditë pasi mori në pyetje për 5 orë rresht Erion Veliajn,  SPAK reagoi zyrtarisht për hetimet që po bën ndaj tij.

Prokuroria e Posaçme konfirmon se ekzistojnë dyshime që kryebashkiaku i Tiranës të ketë kryer tri vepra të rënda penale.

“Deri në këtë fazë të hetimit paraprak, nga provat e grumbulluara, është arritur në konkluzionin se ekzistojnë të dhëna konkrete, të cilat lidhen jo vetëm me veprën penale të korrupsionit pasiv, por edhe me “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Procedimi penal është regjistruar pas një kallëzimi të depozituar në 8 shkurt të këtij viti nga një person i vetëquajtur, Nesti Angoni.

“Informacioni për referimin e veprës penale mori shkas nga një kallëzim i bërë nga shtetasi i vetëidentifikuar si N.A. Hetuesit e BKH-së, pas verifikimit të të dhënave dhe administrimit të provave dokumentare, referuan informacionin përkatës për veprën penale, mbi bazën e të cilit u rregjistrua procedimi penal i mësipërm”, thuhet më tej.

Të enjten, Erion Veliaj dha shpjegime për Prokurorinë e Posaçme. Kjo e fundit ka çelur hetim pasuror ndaj kryetarit të bashkisë së kryeqytetit, ndaj bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa dhe vëllait, Arbër Veliaj.

Të hënën, SPAK mori në pyetje, Xoxën për 3 orë. Të martën, Apeli i rrëzoi gruas së kryebashkiakut dhe vëllait të tij, kërkesën për të marrë mbrapsht celularin e sekuestruar në 6 dhjetor. /vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›