Ministri Nishani flet për vrasjen e 4 policëve dhe hetimet për Xhindin
TIRANË - Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani i është përgjigjur sot interesimit të medias për punën e policisë në kapjen e të shumëkërkuarit Dritan Dajti ku mbeten të vrarë katër policisë, si dhe për hetimet e vrasjes së deputetit të PS-së, Fatmir Xhindi.
Lidhur me vrasjen e policëve ai tha se misioni për arrestimin e të shumëkërkuarit Dajti, ishte i vështirë. "Rënia në krye të detyrës e katër, Dëshmorëve të Atdheut, ka qenë moment shumë i dhimbshëm. Por, mos harrojmë që Policia e Shtetit është dhe do të jetë gjithmonë në luftë kundër krimit dhe krimineleve. Në luftë ka shumë beteja dhe në betejë ka edhe të rënë", u shpreh Nishani, duke veçuar se "siguria dhe rendi për publikun është obligimi më i madh i Policisë së Shtetit".
Ndërkohë për ecurinë e hetime për vrasjen e deputetit, ai tha se tashmë me këtë çështje po merret Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe policia ka vënë në dispozicion të tyre, ekspertët më të mirë. "Çështja në fjalë po hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, ndërsa Policia e Shtetit ka vënë në dispozicion të hetimit specialistët e saj më të mirë", tha Nishani, duke shtuar se hetimet janë në rrugën e duhur.
Deklaratat u bënë pas ceremonisë së dhënies së gradës "inspektor" për 58 të rinj që i shtohen radhëve të policisë. Gjatë ceremonisë, ministri Nishani shpërndahu çertifikatat për punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët do të angazhohen në Patrullën e Përgjithshme, strukturë kjo e ngritur gati dy vjet më parë në funksion të strategjisë për policimin në komunitet.