E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Noka ngushëllon familjen e Fatbardha Tafës: Luftë pa kompromis ndaj krimit

12-08-2012 / Gazeta 55

-- Ministri i Brendshëm ishte sot në familjen e 37-vjeçares, Tafa e cila pak ditë më parë humbi jetën tragjikisht në një tentativë grabitje te Fusha e Aviacionit në Tiranë


-- Ministria e Drejtësisë inspekton dosjen e Aldo Hoxhës, të dyshuarit për vrasjen e 37 vjeçares, Tafa


Ministri i Brendshëm, Flamur Noka vizitoi sot në mesditë familjen e 37-vjeçares Fatbardha Tafa, e cila u vra me thikë pak ditë më parë nga 2 të rinj që tentuan t’i grabisnin varësen e floririt që mbante në qafë. Ministri Noka, i shoqëruar nga deputetët e Durrësit, Osman Metalla dhe Igli Cara, vizitoi familjarët e viktimës në Hardhishtë të Shijakut, të cilëve u shprehu ngushëllimet për humbjen e njeriut të tyre të dashur. Ministri Noka theksoi se autoritetet do të forcojnë masat që ngjarje të tilla të mos përsëriten më. Ministri i Brendshëm ka garantuar se nuk do të ketë më diferencime të krimit në të rëndë dhe të lehtë, por do të ndiqet e njëjta linjë në politikat goditëse. Gjithashtu, Noka i ka bërë apel Prokurorisë dhe gjykatave jo vetëm për bashkëpunim, por edhe që të jenë korrekt në zbatimin e ligjit. 37-vjeçarja Fatbardha Tafa u qëllua me thikë për vdekje, nga dy persona të maskuar që tentuan ta grabisin. Bashkë me motrën e saj, Lumturije Gjana, e cila u plagos nga agresorët, viktima po lëvizte në këmbë në rrugën dytësore te Fusha e Aviacionit në Tiranë. Një ditë më parë policia njoftoi edhe arrestimin e të dyshuarit kryesor për vrasjen, 20-vjeçarin, Aldo Hoxha.


Ministria e Drejtësisë inspekton dosjen e Aldo Hoxhës, të dyshuarit për vrasjen e 37 vjeçares, Tafa


Ministria e Drejtësisë do të inspektojë dosjen e Aldo Hoxhës, 20- vjeçarit të arrestuar një ditë më parë nga Policia e Tiranës, si i dyshuar për vrasjen e Fatbardha Tafës, tek ish-Fusha e Aviacionit. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, ky dikaster bën të ditur se pasi u njoh me faktin se ky shtetas është liruar para një viti nga gjykata për një tjetër çështje, ka urdhëruar inspektimin e menjëhershëm të dosjes së këtij ish të dënuari. Kjo do të thotë se Ministria do të inspektojë veprimtarinë e gjykatave, prokurorive dhe institucioneve të ekzekutimit të dënimit. Të gjitha rezultatet e inspektimit do t’i bëhen të ditura opinionit publik brenda muajit shtator 2012. Ministria e Drejtësisë thekson se në mënyrë të përsëritur ka shprehur shqetësimin e saj për politikën e dobët penale që ndiqet nga ana e organeve të drejtësisë, si një tregues i mungesës së përgjegjshmërisë dhe sundimit të ligjit. Ministria fton qytetarët që të paraqesin para saj çdo rast të devijimit të drejtësisë apo politikës penale, nëpërmjet ankimeve online në portalin: ëëë.justice.gov.al si dhe ëëë.gjykata.gov.al.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›