Elbasan, i përplas makina, vdesin dy motra
Dy motra kanë humbur jetën, ndërsa nëna e tyre ka mbetur plagosur rëndë, pas një aksidenti tragjik të ndodhur në orët e vona të natës së djeshme në qytetin e Elbasanit.
Sipas informacioneve që vijnë nga policia e këtij qyteti, një automjet që drejtohej nga 23- vjeçari me inicialet D.Ç., për shkak të shpejtësisë tepër të madhe me të cilën po udhëtonte ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në trotuar ku ka aksidentuar tre këmbësore, dy prej të cilave kanë gjetur vdekjen e menjëhershme.
Aksidenti ka ndodhur në zonën e unazës së qytetin, në vendin që njihet si stacioni i trenit dhe i ka marrë jetën dy motrave 18 dhe 20-vjeçare, Paula e Baftjare Hekurani.
Në momentin e përplasjes vajzat ishin duke ecur në trotuar të shoqëruara nga nëna e tyre, e cila gjithashtu u përplas nga mjeti dhe ka marrë dëmtime të rënda për të cilat është duke u trajtuar në spitalin rajonal të Elbasanit.
Pas ngjarjes mësohet se drejtuesi i mjetit, tashmë i identifikuar nga policia është larguar nga vendngjarja dhe është shpallur në kërkim.
Ndërkohë, policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes së rëndë me pasojë dy të vdekur.
12 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)
Elbasan, i përplas makina, vdesin dy motra burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip