Rama: Dialog me shqiptarët, pse s`duhet votuar Berisha

Kreu i PS-së, Edi Rama i është referuar sërish dialogut që PS-ja do të zhvillojë në zona të ndryshme të vendit me qytetarët në këto 10 muaj deri në zgjedhjet e ardhshme elektorale. Duke folur në mbledhjen e grupit të PS-së, Rama theksoi se në dialogun me shqiptarët socialistët do t`i japin prova qytetarëve se përse nuk duhet ta votojnë më këtë pushtet.
“Edhe vetëm 10 muaj na ndajnë nga kurorëzimi me sukses i përpjekjes sonë të gjatë dhe të mundimshme. Këta 10 muaj ne duhet të ndajmë me shqiptaret vizion tonë për një rilindje shqiptare. Ne do të jemi këta 10 muaj nëpër qytetet për të dialoguar për të ardhmen me çdo shqiptar që do rimëkëmbjen e vendit. Komunikimi me qytetaët është për ti hapur rrugë rilindjes së vendit, asaj rilindje që përcakton edhe alternativa jonë dhe programi ynë sepse vetë zgjedhja e pas 10 muajsh është e qartë: ose rrënimi i mëtejshëm ose një rrugë e re” tha Rama.
Kreu i Partisë Socialiste ka sulmuar ashpër qeverinë duke e akuzuar për keqqeverisje, që i solli vendit rrënimin ekonomik, arkë të zbrazur, rritje papunësie dhe pasurim të pushtetarëve. “Ne do fokusohemi te ekonomia dhe nuk do të mjaftohemi duke treguar sa keq e ka katandisur qeveria, por do tregojmë si do ta rilindim ekonominë familjare dhe atë shqiptare” tha Rama.
Kreu i PS-së Rama gjithashtu ka shprehur edhe njëherë qëndrimin e opozitës për heqjen e imunitetit duke theksuar se socialistët nuk do ta votojnë pa u miratuar më parë ndryshimet kushtetuese. “Presim të nisë diskutimi për ndryshimet kushtetuese. Sa për imunitetin qeveria po të dojë le ta vijojë monologun e këmbëve dhe duarve të lidhura nga opozita. Ne jemi gati ta votojmë sapo të mbyllen diskutimet” shtoi Rama
Ndërsa i është referuar deklaratave të kreut të grupit demokrat Patozi në Parlament për nismën e PS-së, Rama theksoi se vota kundër e maxhorancës nuk është surprizë. “Këto ndryshime janë në fakt amendamente që nuk na japin ne si forcë politike asnjë fuqi të posaçme. Nuk presim që pala tjetër të votojë pro, se nuk presim që ajo të dëshmojë se ne jemi njësoj, propozimet e tregojnë qartë kush jemi ne dhe cfarë shteti duam të ndërtojmë. Nëse pala tjetër do i votonte këto do ishte hap i madh përpara”tha Rama.