Ministri Prifti fton biznesin turk
Ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, shfrytëzoi rastin mes ministrave të rajonit, duke paraqitur mundësitë e shumta që ka Shqipëria për investitorët e huaj. I pranishëm në takimin e ministrave të Tregtisë të vendeve anëtare të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore, Prifti paraqiti një tablo të zhvillimit ekonomik të vendit tonë dhe theksoi se, Shqipëria paraqitet sot si vendi me rritjen ekonomike më të lartë në Europë dhe me një mjedis të përshtatshëm për biznesin, për shkak të taksave të ulëta. Sipas ministrit tonë, Shqipëria ka një rritje të pritshme ekonomike 5 për qind për vitin 2010. Ndërkohë, duke iu drejtuar ministrave të Tregtisë dhe grupeve të mëdha të biznesit të pranishëm në takim, ministri Prifti u shpreh se, “Shqipëria është një vend i shkëlqyer për investime dhe fitime dhe në këtë drejtim është vendi më miqësor për investimet e huaja”. Në fjalën e tij, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës foli edhe për perspektivën europiane të Shqipërisë dhe u shpreh se, e ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Europian, ashtu siç është dhe e ardhmja e gjithë rajonit. Në përfundim të takimit, ministrat e Tregtisë firmosën një deklaratë të përbashkët, me anë të së cilës synohet rritja e bashkëpunimit ekonomik në rajon. Investimet turke sot llogariten në rreth 1 miliard dollarë, ndërsa vëllimi tregtar Shqipëri-Turqi kap shifrën e 350 milionë dollarëve.
#