E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Tafaj, pazar-skandal me universitetet private, fut në provim 7500 vjeshtukë

Nga Kledian Lula

Ministri i Arsimit Myqerem Tafaj, demonstron publikisht skandalin e radhës në arsimin shqiptar. Pas tenderave abuzivë e klientelistë në hartimin dhe shtypjen e teksteve shkollorë, firmosi urdhrin për mbushjen e bibliotekave të shkollave me tituj librash rrumpallë, për të shitur veprat e autorëve dhe botuesve klientelistë, militantë partiakë të pushtetit, zyrtarë të lartë në ministrinë e Arsimit dhe këshilltarë të Kryeministrit Sali Berisha. Katër ditë më parë, ministri Tafaj ka nxjerr një urdhër personal, me të cilin shfuqizon ligjin për provimet e maturës shtetërore dhe pranimet në universitete. Ditën e enjte, datë 14 korrik 2011, ministri Tafaj ka nxjerrë urdhër-skandalin, me të cilin urdhëron shkollat e mesme dhe agjencinë kombëtare të vlerësimit të provimeve, që gjithë maturantët ngelës në provime, kanë të drejtë të japin këto provime në sezonin e vjeshtës. Ky është urdhër i paligjshëm, mbasi ligji për arsimin e ka të përcaktuar e të sanksionuar qartë, që këto provime jepen vetëm vitin tjetër, pra nuk lejon sezon vjeshte, por quhet përsëritje provimesh. Janë 7500 maturantë ngelës në provime, të cilët me urdhër të ministrit Tafaj, nuk do të presin periudhën prill-qershor të vitit 2012 për të dhënë provimet, por do ta bëjnë këtë formalitet në muajin shtator 2011. Sipas ligjit, ky urdhër për vjeshtukët mund të nxirrej, por jo 1 muaj pasi kanë mbaruar provimet, por që në vitin 2009, pra një vit më përpara se fillimi i vitit shkollor 2010-2011.

Në mbështetje të ligjit, në datën 22 korrik 2011, maturantët që kanë kaluar të 4 provimet, do të plotësojnë Formularin A2, si hapi i parë për të bërë përzgjedhjet sipas pikëve në universitetet shtetërore. Ndërsa 7500 vjeshtukët, nuk e plotësojnë dot Formularin e A2, mbasi janë mbetës. Sipas ligjit të arsimit të lartë e të mesëm, këtë formular ata duhet ta plotësojnë në korrikun e vitit 2012, pasi të kenë shlyer provimet me maturën e këtij viti. Por, sipas urdhër-skandalit të ministrit Tafaj, ata do ta plotësojnë këtë formular në shtator 2011, pra pak ditë pasi të japin provimet si vjeshtukë. Pisllëku i urdhër-skandalit të nxjerr në mënyrë pirate prej ministrit Tafaj, qëndron në faktin, se 7500 vjeshtukët edhe nëse kalojnë provimet nuk mund të regjistrohen dot në universitetet shtetërore, mbasi nuk i lejojnë afatet ligjore. Por ata, mund të regjistrohen pa asnjë pengesë e lehtësisht në universitetet private, ndaj të cilëve, ministria edhe pse e ka detyrim ligjor, nuk u ka caktuar asnjë afat ligjor regjistrimi për studentët. Nisur nga ky abuzim ligjor, vjeshtukët pasi të marrin provimet (dihet si merren provimet në vjeshtë pas plazhit të mësuesve), janë një lëndë e parë financiare për të mbushur universitetet private, ku mund të pranohen kur të duan e në çfarë dege të duan, mjafton të paguajnë tarifën e caktuar nga pronarët. Sipas burimeve të informacionit, ky është pazari i pisët që fshihet pas urdhrit të jashtëligjshëm e skandaloz të ministrit Tafaj, i cili ka marrë edhe konfirmimin zyrtar nga kryeministri Sali Berisha, mbasi kështu e njeh ligji, veçse jo në rastet kur shkelet. Kujtojmë, që ditën e premte, datë 15 korrik, ministri Tafaj, foli me pompozitet për cilësinë dhe europianizmin e universiteteve private, ndërkohë që kryeministri Sali Berisha, deklaroi me krenari si përherë, se numri i studentëve është 3-fishuar. Siç duket, ka parasysh shifrën e studentëve që regjistrohen tek universitetet private si tip mall furnizimi nëpërmjet urdhrave skandalozë, të lëshuar për qëllime pazaresh të pista financiare e statistikore nga ministri i (ç)arsimit Shqiptar dhe nga vet kryeministri SALI i kohës së “arsimit të lartë shqiptar, modern në botë”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›