Rankimi i universiteteve dhe shembujt e moralit për këtë shoqëri

Berisha gjatë diplomimit te disa studenteve
Gazeta Tema nuk është marrë me atë që quhet rankim ose renditje e universiteteve në Shqipëri. Mjafton të shohësh fjalimin e kryeministrit në këtë ceremoni për të kuptuar se kjo është një përpjekje e dëshpëruar e tij për ti shtuar artificialisht cilësi arsimit të lartë, që është katandisur në pikë të hallit pas shtimit të pafundëm të kioskave universitare. Megjithatë disa gjëra duhen thënë. Është e kuptueshme që rankimi është një përpjekje e qeverisë për të orientuar studentët drejt universiteteve me pagesë, të cilat janë kthyer në një biznes tejet fitimprurës për njerëzit e qeverisë, në dëm të universiteteve publike që po rrënohen gjithmonë e më shumë. Por në sy në këtë të ashtuquajtur rankim të bie fakti se askush nuk merret me produktin, këtë turmë të stërmadhe studentësh që dalin në rrugë pas mbarimit të shkollës, pa pasur ndonjë shans punësimi. Po ashtu askush nuk flet për këtë numër të stërmadh studentësh që nuk ushqehen me asnjë shembull morali në shkollimin e tyre. Shumica e tyre studiojnë në degët ku vlon korrupsioni, si në juridik e shkenca politike, dhe këtë e bëjnë me një synim: aty pasurohesh lehtësisht. Po ashtu askush nuk flet për ata që u japin leksione këtyre të rinjve shqiptare. Kur të lërë punën si kryetar KQZ-je Ristani, e sigurt që do japë mësim në ndonjë universitet, sikundër bëjnë sa e sa politikanë, diplomatë dhe zyrtarë të korruptuar e të përfolur. A mund të pritet prej sojit të tyre të ushqejnë brezin e së ardhmes me moral e frymën e ligjit? Megjithatë njerëzit e qeverisë shpresojnë të fryjnë xhepat pas këtij rankimi, por një gjë është e sigurt: në këtë fshatin tonë të madh, dihet dhe se çfarë cilësie janë qoftet tek Tymi tek Rruga e Kavajës, jo më cilësia e universiteteve tona.