Ministri Turku: Dobësitë e kulturës
Ministri i Kulturës, Ardian Turku, në një intervistë për "Shekulli"-n tregon problemet e trashëguara që gjeti nga paraardhësi dhe pamundësinë për të ndryshuar shumë në politikën që ndiqet për financimet e projekteve. "Jemi në tranzicion, nuk mund të pretendojmë cilësi të lartë në kulturë dhe arte"
Dikur ka punuar në Elbasan. Për 3 vjet ka qenë shef i arsimit dhe i kulturës në bashki. Pra, kultura nuk është një terren i panjohur për Ardian Turkun, ministrin e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, pasardhës i Ylli Pangos prej së paku 2 muajsh.
"Kulturë do të thotë të dish, po edhe të vlerësosh. Por, në fund të fundit, ministri i Kulturës është një post politik, i cili në bashkëpunim me stafet do të ndjekë si menaxher, aq sa i lejon pozicioni i politikëbërjes."
Ardian Turku, në një intervistë për "Shekulli"-n tregon problemet e trashëguara që gjeti nga paraardhësi dhe pamundësinë për të ndryshuar shumë në politikën që ndiqet për financimet e projekteve. "Jemi në tranzicion, nuk mund të pretendojmë cilësi të lartë në kulturë dhe arte"
Zoti Turku, u bënë dy muaj në detyrë që i keni kaluar me heshtje para medias. Në ç'gjendje i gjetët institucionin, stafin, punën, projektet në zhvillim?
Në një moment dizekuilibri. Ishte i natyrshëm për çka kishte ndodhur. Në kushte të tilla, të gjithë s'jemi ndjerë mirë.
Nga ana tjetër, është në traditën e institucioneve shqiptare që ndryshimi i titullarit presupozon edhe ndryshime në staf. Gjëja e parë që u përpoqa të bëj ishte krijimi i një atmosfere normale, në kuptimin që ministria është një institucion qendror që duhet të vazhdojë punën normalisht, njerëzit të punojnë të qetë.
Dhe është fakt që nuk kam bërë lëvizje, përjashto 2-3 të imponuara, madje të diktuara nga Departamenti i Administratës Civile, lëvizje të pamotivuara të mëparshme, që i riktheva atje ku duhej të ishin.
Keni pasur kohën e duhur për të perceptuar politikën që ka ndjekur paraardhësi dhe për të përcaktuar terrenin ku duhet të veproni. Apo ju dekurajon koha e shkurtër që keni në dispozicion?
Ministria ka funksionuar normalisht dhe në kuadrin e programit qeveritar ka pasur objektivat e veta.
Le të themi që pjesa e sportit është pjesa më e zbehtë, pasi dihet që marrëdhëniet e shtetit me sportin janë delikate, për arsye të autonomisë që gëzojnë. Shteti ka realizuar detyrimet e veta për mbështetje financiare.
Një nga punët e para që bëra ishte dhënia fund e ndarjes së grantit dhe përcjellja e federatave, pasi ishte krijuar një dizekuilibër nga vonesat e shkaktuara. Në fushën e rinisë kemi një drejtori që ndjek çështjet përkatëse.
Në pjesën e turizmit, ministria ka bërë një punë të lavdërueshme përgjatë viteve. Kjo dihet edhe nga rritja e shifrave të turizmit, nga impaktet që turizmi ka dhënë për zhvillimin ekonomik.
Është krijuar një strukturë (Agjencia Kombëtare e Turizmit), e cila ndjek detyrat në mënyrë më operative. Për kulturën janë institucionet e varësisë që punojnë me buxhetet e veta. Ndërkohë që, një pjesë e rëndësishme kanë qenë financimet e projekteve që vijnë nga kompani, individë.
Meqë jemi tek projektet, sa është vlera e borxhit që MTKRS-ja ka aktualisht ndaj vitit buxhetor 2008 dhe çfarë nuk shkon në marrëdhëniet që keni me subjektet që mbështetni financiarisht?
Le t'i sqarojmë disa gjëra. Ka një borxh... unë nuk do ta quaja borxh. Janë plot 8 milionë lekë të rinj që pretendohet të merren nga ata që kanë realizuar projekte dhe që s'kanë marrë paratë. Në pamje të parë duket sikur fajtore është ministria, por nuk është kështu.
Ç'ka ndodhur?
Ka ndodhur që njerëzit kanë marrë këstin e parë dhe brenda 20 ditëve nga mbyllja e aktivitetit janë të detyruar që të kthejnë dokumentacionin e plotë origjinal ligjor, i cili justifikon paratë e marra dhe lejon marrjen e kësteve të tjera. Më rezulton që janë një numër aktivitetesh që zhvillohen nga individë dhe kompani të ndryshme, të cilët kanë qenë jokorrektë me MTKRS-në.
Ky është problemi kryesor. Ndoshta faji i MTKRS-së është në një raport tjetër, që do të na duhet ta rregullojmë në të ardhmen. Edhe sot e kësaj dite më vijnë njerëz me projekte dhe kërkojnë që t'i mbështes financiarisht. Duhet ta dinë të gjithë që viti buxhetor është vit buxhetor, kam rreth 300 projekte të dorëzuara deri më 15 shkurt, por nuk mund të pres të tjera përtej kësaj date.
Kjo duket pjesa teknike e problemit, por ajo politike, financimi i projekteve cilësore, a nuk mbetet sfidë për këtë ministri?
Këta doja të nënvizoja. MTKRS-ja nuk ka për detyrë të financojë çdolloj projekti. Duhen përcaktuar prioritetet që do të mbështeten financiarisht mbi bazën e politikave që bën ministria në emër të qeverisë. Edhe brenda kulturës duhen përcaktuar se cilat gjini duhet të kenë përparësi.
Po të dalim tek teatri, tek festivalet e teatrit: ka festivale kombëtarë dhe ndërkombëtarë, siç është i "Butrintit", i "Skampës", festivali i aktrimit, etj. Na kanë ardhur kërkesa për një tjetër festival alternativ, një tjetër kërkesë për të ngritur një festival të humorit...
Nuk është më mirë, z. Turku, që të shihet rezultati i këtyre festivaleve që ekzistojnë, së paku, prej pesë vitesh? Përse MTKRS-ja nuk monitoron cilësinë?
Ju më ndërpretë..., pra duhet të përcaktohet qartë se çfarë duhet financuar. Nuk mund të vijë çdo njeri që ideon festivale ndërkombëtare dhe të kërkojë mbështetje financiare nga ministria. Tjetër problem është masa e financimit. Iniciativat private nuk mund të kërkojnë çdo vit financim të plotë të aktivitetit.
Së fundi, në GKA është bërë një punë shumë e mirë me krijimin e linjës muzeale. MTKRS-ja e ka mbështetur këtë projekt së bashku me GKA-në, me një fond rreth 4.6 milionë lekë. Nuk është ndonjë hata kur ju po kaq jepni për një festival teatri. A është kjo politikë që ndjek MTKRS-ja, pa vizion dhe jo afatgjatë?
I bëni llogaritë gabim. Ministria e Kulturës ka një pronë aty, për të cilën kujdeset gjatë gjithë vitit, jo thjesht dhe vetëm për investimin që u bë.
MTKRS-ja mban në këmbë tërë stafin dhe shërbimet mbështetëse të atij ambienti dhe të atij institucioni. MTKRS-ja paguan çdolloj detyrimi që ka ai institucion dhe gjithë të tjerët. Dhe, MTKRS-ja mbështet edhe me projekte të tjera. Ju po flisni për një projekt konkret.
Fatmirësisht, ne drejtuesit kemi nuhatjen që, nëse gjejmë burime financimi, atëherë ne vetë shmangemi, sepse problemi ynë është që të krijojmë sinergji. Nëse unë do të hidhja "paratë e mia" atje ku kanë financuar të tjerë, atëherë do t'ju thosha hidhini gjetkë. Ç'të keqe ka këtu?
Është gjë shumë e mirë që donatorët shprehin gatishmërinë të financojnë ¾ e projekteve për institucione buxhetore. Problemi është tek mungesa e politikave që Ministria e Kulturës duhet të zbatojë për vlera që mbeten afatgjata, jo aq për festivale teatri pa vlerë.
Më duket se po shpërndahemi shumë. Ne bëjmë politika brenda kësaj pjese të buxhetit që shkon për zërin e projekteve. Këtu ka vend për t'u diskutuar. Të përcaktojmë peshën e secilit art, kujt do t'i japim më shumë apo më pak, do të bëjmë një politikë për një art elitar apo për artet masive.
Pra, këtë duhet të bëj. Dhe, në mënyrë të veçantë, të përcaktojmë politika jo mbështetëse, sepse për hir të së vërtetës, konstatoj se ka që janë mësuar të aplikojnë çdo vit dhe të kenë një buxhet të gatshëm, bile e quajnë si të drejtën e tyre universale që çdo vit të marrin nga MTKRS-ja disa dhjetëra milionë lekë, duke qenë privat.
Dikur mund të kenë marrë edhe nga 10 deri në 20 milionë lekë.
Është e vërtetë që duhet të kemi shumë kujdes për monitorimin e aktiviteteve, të cilësisë dhe në rast se cilësia është e dobët, subjektet ta humbasin të drejtën për të aplikuar vitin tjetër.
Kjo është një nga gjërat që po përpiqem të bëj. Këshilli i Kulturës ka bërë analizën e projekteve për ndarjen e buxhetit për këtë vit. Do ta rimbledh pikërisht për të caktuar kriteret për ndarjen e financimeve.
Jemi tek cilësia e institucioneve kombëtare që bëjnë minimumin për të tërhequr publik me biletë. Shfaqjet dhe kultura që prodhohet aty nuk janë produkte që shiten me "forcat e veta", me meritë, por ecin si të ecin. Shtoji kësaj që institucionet punojnë pa kalendar.
Nuk është e vërtetë që institucionet të mos dinë se çfarë do të bëjnë.
Që kur u jepet buxheti, institucione si Teatri i Operës dhe Baletit dhe Teatri Kombëtar, i dinë detyrimet e veta se çfarë do të bëjnë, bile dhe një vit përpara përcaktojnë se cilat do të jenë aktivitetet bazë. Është shumë e vërtetë që TOB-i dhe TK-ja e dinë numrin e premierave të detyrueshme që ka dhe shpërndarjen gjithëvjetore.
Sa për cilësinë, them që institucionet tona shesin bileta, nuk është se nuk shesin fare. Por që nuk është në nivelin e duhur, kjo është e vërtetë, dhe këtë e them me siguri, ashtu siç ka pasur edhe premiera me nivel.
Nuk mund të pretendojmë që në këtë periudhë tranzicioni, kur shteti po forcohet, të jemi në atë nivel ku mund të sigurojmë në mënyrë të kënaqshme cilësinë artistike. Ne përpiqemi që brenda buxheteve që kemi, të stimulojmë krijimtarinë brenda për brenda vendit me paratë tona.
Çfarë do të bëhet me infrastrukturën e këtyre institucioneve. Artistët punojnë në të ftohtë në dimër, dhe në vapë në verë.
Po ashtu, edhe publiku i ndjek në të njëjtat kushte.
Unë them që po merren masat. TOB-i e mori financimin 10 milionë lekë të rinj vitin e kaluar. TK-ja e ka bërë një herë sistemin e ngrohjes, para dy vitesh, mos gaboj, dhe i janë akorduar 3 milionë lekë.
Edhe teatri i Shkodrës dhe i Elbasanit, po ashtu janë financuar nga MTKRS-ja për sistemin e ngrohje-ftohjes.
Le të mbajnë përgjegjësi vetë drejtuesit e institucioneve pse nuk është dhënë rezultati.
Piramida dhe kthimi në qendër kulture, ku do të hidhen 570 milion lekë. Në ç'fazë janë punimet?
Ka një vonesë në lidhje me kontratën, pasi kanë dalë dy probleme. Për këtë vit janë rreth 350 milionë lekë të rinj. Atje po punohet. Janë përfunduar elementët kryesorë të sallës së madhe me 500 vende (që do të jetë e kinemasë) dhe një nga sallat e ekspozitave.
Ka një problem të lirimit rreth 30% të ambienteve që kishte zënë "Top Channel". Ka pasur edhe disa përplasje me Bashkinë e Tiranës për problemet e ndërhyrjeve në fasada. Le të shpresojmë që do t'i zgjidhim shpejt. Por paratë janë në dispozicion.
Sapo jeni kthyer nga Kosova dhe ju ftoni vëllezërit kosovarë të vijnë të pushojnë këtu. A është gati Shqipëria?
Absolutisht jemi gati. Vizita ime në Kosovë ishte në kuadrin e një panairi për turizmin dhe në kuadrin e promovimit të strategjisë që kemi në shkallë rajonale të turizmit, pasi tregun kryesor e kemi në Kosovë dhe në Maqedoni.
Kosovarët përbëjnë 32% të të huajve që vijnë turistë në Shqipëri dhe natyrisht ky treg nuk neglizhohet dot, prandaj shkova vetë atje. Pata takime me ministrin e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës.
Premtova që do t'u bëj thirrje shqiptarëve që, për turizëm të natyrës së tillë si turizmi malor, për monumentet natyrore apo për trashëgiminë kulturore, për gastronominë, etj., të synojnë tregun e Kosovës. Pra, përtej turizmit patriotik, ne të futemi në elementë të turizmit për njohjen më të mirë të kombit që e kemi matanë kufirit.
Flitet për një Shqipëri me perspektivë turistike, jo vetëm për atë që ofron natyra, por edhe për atë që ofron trashëgimia monumentale, qendrat arkeologjike, parqet, qytetet muze. Këto të fundit dhe muzetë në veçanti, janë një nga pikat më të dobëta. Muzetë tanë lënë për të dëshiruar.
Kemi shumë punë për të bërë për muzetë dhe nuk është se s'është punuar. Janë disa muze që janë të gatshëm të presin vizitorë: "Gjergj Kastrioti" në Krujë, që është më i vizituari gjatë sezonit intensiv turistik, "Onufri" i Beratit, me koleksionin e ikonave, Muzeu i Arsimit në Korçë, Muzeu i Artit Mesjetar, Muzeu i Pavarësisë në Vlorë, Etnografiku në Elbasan, etj.
Nga gjithë këto punë, për çfarë nuk do t'ju dalë koha?
Për mua janë edhe 2-3 muaj punë, derisa të konstituohet Parlamenti i ardhshëm. Do ta vazhdoj punën edhe sikur të kisha 3 vjet mandat.
Unë dua të mbyll këtë mandat qeverisës të kësaj ministrie në mënyrën e parashikuar dhe pa problematika dhe, për aq sa më lejon koha, të filloj dhe të inicioj disa gjëra, siç është rasti i mbështetjes financiare që u jepet projekteve të ndryshme.
Janë përgatitur objektivat për 4-vjeçarin e ardhshëm. Por nuk besoj se ju do të më besonit të flisja për gjurmë të tjera.