I ngacmuan mbesën, plagos adoleshentët
TENTATIVA/ Shpëtim Qosja është shpallur në kërkim pasi qëlloi me armë gjahu mbi dy djem duke tentuar t'i vrasë
Dy viktimat e ngjarjes janë nën hetim për shkak se nuk pranuan të tregojnë se si i kishin marrë saçmet në trup
ELBASAN - Një ngjarje e rëndë është regjistruar në një fshat afër qytetit të Elbasanit, kur dy adoleshentë janë qëlluar me çifte nga një 25-vjeçar. Shkak për tentativën për vrasje mësohet të jetë fakti që dy djemtë kanë ngacmuar mbesën e personit që shkrepi armën.
Adoleshentët kanë përfunduar në spitalin kirurgjik të Elbasanit, ndërsa dje pasdite pasi janë mjekuar i janë kthyer banesave të tyre. Policia është në kërkim të autorit të krimit, i cili është larguar menjëherë pas ngjarjes.
Mbrëmjen e së dielës, në spitalin kirurgjik të Elbasanit kanë mbërritur dy të rinj përkatësisht 15 dhe 16 vjeç, të cilët kishin dëmtime saçmesh në të gjithë trupin. Mbërritja e tyre ka çuar edhe në njoftimin e policisë, agjentët e së cilës kanë mbërritur në spital për të marrë në pyetje adoleshentët nga fshati Mengël i Elbasanit.
Pas marrjes së mjekimit, djemtë janë shprehur para oficerëve të policisë gjyqësore se plagosja e tyre ishte kryer nga pakujdesia, por teksa kanë shkuar në vendngjarje hetuesit kanë zbuluar se ngjarja kishte qenë e qëllimshme dhe me autor.
Sipas të dhënave të grumbulluara, autori i plagosjes së dy adoleshentëve ishte shtetasi Shpëtim Qosja, 25 vjeç, me banim në Mengël. Ai ka arritur t'i shpëtojë arrestimit të policisë duke u larguar në drejtim të paditur dhe ndërkohë është shpallur në kërkim.
Sipas policisë, tentativa për vrasjen e adoleshentëve ka ndodhur për shkak se këta të fundit kanë ngacmuar me fjalë mbesën e Shpëtim Qoses. Ky i fundit, pasi ka mësuar një gjë të tillë, i është drejtuar shtëpisë, ku ka marrë edhe armën e gjahut, të cilën e mbante me leje dhe e përdorte për gjueti.
Më pas, ka gjetur dy djemtë dhe i ka qëlluar një herë. Disa prej saçmeve kanë prekur trupat e dy adoleshentëve, të cilët ndërkohë ishin duke vrapuar për t'iu larguar zemërimit të 25-vjeçarit, i cili është fyer nga ngacmimi që i është bërë mbesës së vet.
Ndërsa të dëmtuarit janë dërguar në spitalin kirurgjik, Shpëtim Qosja ka braktisur armën e gjahut dhe është larguar edhe nga shtëpia. Aktualisht ai akuzohet për vrasje me dashje të mbetur në tentativë dhe efektivat janë vënë në kërkim për kapjen e tij.
Ndërkohë edhe dy adoleshentët do të duhet të përgjigjen për dëshmi të rremë, pasi nuk kanë pranuar të tregojnë të vërtetën për ngjarjen e ndodhur. Ndërkohë, pasi kanë marrë mjekimet e nevojshme në spital, ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.