E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Veliaj çon më krahë në spital një fëmijë rom

TIRANË-Ministri për Mirëqenie Sociale dhe Rininë, Erion Veliaj shoqëroi sot vetë një fëmijë të vogël rom në dyert e spitalit.

Elidoni i vogël, 2- vjeçar, është fëmija i aksidentuar më 31 gusht në rrugën përballë pallatit me shigjeta, aty ku prej më shumë se pesë javësh familjet rome kanë ngritur çadrat pasi u dëbuan nga trualli i ish-Dekorit, ku edhe jetonin prej vitesh.

Veliaj e kishte njohur Elidonin gjatë vizitës që kreu në ditën e tij të parë të punës tek 37 familjet e shpërngulura rome.

Nëna e Elidonit i qe ankuar se e kishte çuar djalin për vizitë në spital, por që andej kishte dalë e përbuzur dhe pa mjekim. Dy ditë më pas, Veliaj duket se e ka mbajtur premtimin. Ai e ka marrë në makinën e tij Elidonin dhe e ka shoqëruar personalisht në Spitalin Ushtarak, ku fëmija mori trajtimin e munguar mjekësor.

Veliaj u shoqërua edhe nga deputeti i PS-së, Ylli Ziçishti, ish- shef i Urgjencës, për të cilin ka shprehur falenderimet e tij në "Facebook".

Ministri i MSR-së ka premtuar zgjidhje të shpejtë për sistemimin e familjeve rome, të cilat ende sot jetojnë në kushte jo normale. “Shumë faleminderit Ylli Zicishtit deputetit-doktor për ndihmën në spital dhe i bindur që Ilir Beqja dhe ekipi i tij i ri do t'i bëjnë spitalet tona me cilësorë për këdo - pavaresisht ngjyrës, bindjeve e financave”, shkruan Veliaj në "Facebook".

(d.b/BalkanWeb) Lidhje te tjera FOTO: Ministri Veliaj çon më krahë në spital një fëmijë rom

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›