E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri gjerman, Schauble: Në Greqi është bërë progres

“Nëse me përfundimin e programit grek, në 2014, Greqisë i nevojitet ndihmë të re, jemi gjithmonë gati ta ndihmojmë, përderisa ky vend përmbush kushtet”, thekson ministri i financave të Gjermanisë, Wolfgang Schauble në revistën gjermane Focus, duke refuzuar mundësinë e një “qethjeje” të re të borxhit. 

Schauble vë në dukje se, sa Greqia, aq edhe eurozona, janë në gjendje më të mirë nga ç’pritej. 

Në të njëjtën frymë është edhe intervista që Schauble i dha gazetës “Welt am Sontag”, ku ndërmjet të tjerash, i referohet progresit që është shënuar në Greqi në procesin e përshtatjes. 

“Një krizë përshtatjeje është e pashmangshme, kur një vend nuk është kompetitiv. Ndërkaq, situata në vend po zhvillohet ashtu siç pritej dhe në disa raste, edhe më mirë. Ekziston progres, pritet suficit primar, trojka parashikon rikthim te zhvillimit vitin e ardhshëm dhe kështu borxhi do të fillojë gradualisht të ulët. Greqia ka arritur në stadin që të mos rrisë borxhin e vet më herët nga ç’planifikohej”, thekson ministri gjerman. 

Deklaruan për krizën:

Antonis Samaras
2014-a do të jetë vit rimëkëmbjeje për ekonominë greke, do të arrijmë suficit primar dhe nuk do të nevojiten masa të reja. Vjet të gjithë konsideronin të sigurt daljen e Greqisë nga euro, sivjet të gjithë konsiderojnë të sigurt daljen e vendit tonë nga kriza. Vendi po e lë pas përfundimisht të djeshmen. Greqia po ndryshon faqe, ekonomia e saj bëhet kompetitive dhe likuiditeti po rikthehet në treg”, tha kryeministri Samaras.

Evangelos Venizelos
“Vendi po i ngjitet malores, por ndodhet edhe në kthesen e fundit dhe kemi përshkuar 4/5 e rrugës që shpie në daljen nga kriza”, theksoi kryetari i PASOK-ut, Evangelos Venizelos. 

Aleksis Tsipras
Zgjedhje të menjëhershme, për të dalë vendi nga qorrsokaku, kërkoi kryetari i SYRIZA-s, Aleksis Tsipras, me një deklaratë nga tubimi i zhvilluar në Selanik, me iniciativën e konfederatës sindikale dhe unionit të sindikatave të sektorit publik. 

(Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›