E Martë, 3 Nëntor 2026

Ministri grek: Shqipëria t’i harrojë paratë nga BE nëse Beleri nuk betohet si kryebashkiak i Himarës

Ministri grek i Punës, Adonis Georgiadis, i ka dërguar mesazh Shqipërisë se Greqia do të bllokojë çdo financim europian për Shqipërinë për aq kohë sa kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, vijon të mbahet në paraburgim.

Georgiadis deklaroi se nëse Fredi Beleri nuk betohet si kryetar dhe nëse Himara shkon sërish në zgjedhje, marrëdhëniet greko-shqiptare do tv përkeqësohen për një kohë të pacaktuar.

“Shqipëria të harrojë paratë nga Europa nëse Fredi Beleri nuk betohet si kryebashkiak i Himarës. Nëse zgjedhjet përsëriten ose betohet një kryetar tjetër bashkie, për Greqinë do të jetë faktor i keq marrëdhënieve me Shqipërinë për një periudhë të pacaktuar. Shqipëria do të paguajë një çmim shumë të lartë nëse vazhdon të shkelë të drejtat e grekëve të Vorio-Epirit”, tha Georgiadis, duke kërkuar nga Shqipëria që të rishikojë qëndrimin.

Sa i përket takimit informal që do të mbahet sot në Athinë me liderët e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian, ministri Georgiadis tha se vendimi i kryeministrit Kyriakos Mitsotakis për të mos e ftuar Ramën tregon se çështja “Beleri” konsiderohet tepër serioze nga pala greke.

 “Ata që menduan se Kyriakos Mitsotakis do të ishte i butë si kryeministër në reagimin e tij për këtë çështje, gabuan. Mesazhi për Shqipërinë sot është i qartë. Nëse vazhdojnë të pengojnë betimin e kryetarit të ri Fredi Beleri, do të duhet të harrojnë kursin e tyre evropian dhe paratë nga Evropa”, tha ministri.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›