Koncesioni i sterilizimit, Berisha: SPAK falsifikoi kontratën që mos të arrestohej Beqaj. Të ngrihemi në protesta

Ish-kryeministri Sali Berisha i ka bërë thirrje qytetarëve që të ngrihen në protesta.
Në një deklaratë për mediet, Berisha u ndal te hetimet për koncesionin e sterilizimit, teksa e konsideroi të gënjeshtërt deklaratën e fundit të ish-ministrit Ilr Beqaj.
Berisha kërkon që personat e përfshirë në këtë koncesion të dalin para përgjegjësisë, ndërsa SPAK-un e akuzoi se ka falsifikuar kontratën e koncesionit për të favorizuar Beqajn.
“Këtë mashtrim nuk e beson asnjë shqiptar, por atë e besojnë, ose bëjnë sikur e besojnë skapistët e partisë, të cilët me urdhër të Edi Ramës njësoj si në rastin e Erion Veliajt nuk ngritën padi ndaj tij, por firmosën amnistinë. Partia Demokratike u bën thirrje qytetarëve shqiptarë kudo që janë të ngrihemi në protesta të fuqishme për të marrë në dorë fatin tonë dhe për të shpëtuar Shqipërinë nga kjo organizatë kriminale që kryesohet nga Edi Rama.
Sipas Beqajt, me 4 firma në aferën 100 milionë euroshe e sterilizimit, dhënia e privatit e një kati të spitalit të ri të ndërtuar me paratë e qytetarëve, nuk përbën dhënien e një të mire për privatin. Këtë mashtrim të pacipë të Beqajt nuk e beson asnjë qytetar që e di që spitali është pronë publike, dhe jo pronë private e familjes Beqaj. Por këtë mashtrim duket se e ka besuar, ose bëri sikur e besoi me urdhër të Edi Ramës, SKAP-i i partisë, ndaj dhe ai si në rastin Erion Veliajt, vendosi të mos ngrejë padi, por të amnistojë Beqajn e 4 firmave mbi vjedhjen e dytë të shekullit.
PD u bën thirrje qytetarëve shqiptarë kudo që janë, të ngrihemi sa më parë në protesta të fuqishme për të marrë në dorë fatin tonë dhe për të shpëtuar Shqipërinë nga kjo organizatë kriminale që kryesohet nga Edi Rama”, tha Berisha.
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, reagoi ditën e djeshme (20 gusht), duke argumentuar se kontrata ishte e nevojshme për shërbimin e sterilizimit në vend, pasi centrali i sterilizimit në QSUT nuk mbulonte nevojat për të gjitha spitalet në vend.
Lidhur me hetimet për koncesionin e sterilizimit janë arrestuar ish-zv.ministri Klodian Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj. Po ashtu, 6 zyrtarë të tjerë janë lënë në arrest shtëpie dhe detyrim paraqitje.
/rtsh.al/