E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri i Drejtësisë raporton në Komisionin e Ligjeve mbi inspektimet e kryera në Prokurori

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dëgjoi sot raportin për Inspektimet e kryera në Prokurori, që u paraqit nga Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani. Ky është viti i parë në të cilin Ministri i Drejtësisë raporton në Kuvend për rezultatet e inspektimeve të kryera në Prokurori në zbatim të ligjit organik të prokurorisë dhe të ligjit organik të Ministrisë së Drejtësisë. Në fjalën e tij përpara deputetëve, Ministri Nishani paraqiti të dhëna të detajuara në lidhje me inspektimet e kryera gjatë vitit 2009 për çështjet e ndjekura nga Prokuroria. Konkluzionet i janë paraqitur edhe Presidentit të Republikës, Prokurorit të Përgjithshëm dhe institucionit të Prokurorisë, veprimtaria e të cilës ka qenë objekt i kontrollit. Në lidhje me respektimin e afateve të hetimit, Ministri i Drejtësisë nënvizoi se në bazë të konkluzioneve të inspektimeve të kryera, ky institucion, ndër të tjera, ka rekomanduar marrjen e masave rigoroze për disiplinimin e afatit të hetimeve.
Respektimi i afateve të paraburgimit; respektimi i lirive dhe të drejtave themelore të të ndaluarve; rregullshmëria e veprimeve hetimore; respektimi i detyrimit ligjor të prokurorit për fillimin e ndjekjes penale; ecuria e politikës së dënimeve që ndiqen nga prokurorët; mbajtja dhe administrimi i statistikave dhe regjistrimi i veprave penale, si dhe respektimi i drejtësisë, barazisë dhe ligjshmërisë së veprimtarisë së prokurorëve në marrëdhëniet me subjektet e tjera të procedimit penal, ishin disa nga çështjet kryesore që Ministri Nishani trajtoi gjatë raportimit të tij.

Në relacionin e përgatitur nga Komisioni kuvendor i Ligjeve për raportin e paraqitur nga Ministri i Drejtësisë, ndër të tjera, vlerësohet se raportimi në Kuvend ka një ndikim shumë pozitiv në veprimtarinë e prokurorisë, pasi krahas rritjes së transparencës së funksionit të këtij organi, në ato aspekte që e lejon ligji, konstatohet edhe rritja e bashkëveprimit mes ekzekutivit dhe prokurorisë si pjesë e dy pushteteve të pavarura. Komisioni i Ligjeve konstaton gjithashtu se mbajtja e këtij raporti në Kuvend do të ketë ndikimin e vet edhe në punën që ka nisur për reformën në drejtësi dhe, në mënyrë të veçantë, për hartimin e një strategjie në këtë fushë. Më pas, anëtarët e Komisionit i drejtuan pyetje zotit Nishani në lidhje me çështjet e përfshira në raport, si dhe në lidhje me bashkëpunimin dhe koordinimin e punës mes Ministrisë së Drejtësisë dhe institucioneve të tjera si Prokuroria, Kontrolli i Lartë i Shtetit, Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurive, etj. Gjithashtu, Komisioni për Çështjet Ligjore rekomandoi nënshkrimin e një memorandumi bashkëpunimi mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme me qëllim intensifikimin e veprimtarive në të ardhmen.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›