E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi dhe Zonja e Parë u urojnë fëmijëve Festën e 1 Qershorit.

1 qershor 2010

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi së bashku me Zonjën e Parë, Teuta Topi, priti sot në mjediset e Presidencës fëmijë të dalluar të shkollave 9-vjeçare të kryeqytetit me rastin e Festës së Fëmijëve 1 Qershorit.

Në një atmosferë të festës dhe të gëzimit fëminor, Kryetari i Shtetit dhe Zonja e Parë u përshëndetën nga afër me fëmijët dhe mësueset e tyre që i shoqëronin në këtë veprimtari. Lule, fjalë të ngrohta, urime të përzemërta, buzëqeshje të sinqerta e përqafime u shkëmbyen në ato momente.

“Të dashur fëmijë,

Kjo është një ditë shumë e bukur për ju, për prindërit, për mësuesit, për edukatorët. Është një kënaqësi shumë e veçantë edhe për mua natyrisht që sikurse edhe vitet e tjera t’ju uroj këtë ditë të bukur, Festën e 1 Qershorit!

Edhe ne e kemi festuar dikur Festën e 1 Qershorit, sepse kjo është një festë tradicionale dhe unë besoj që festa që ju gëzoni sot është shumë herë më e bukur se ajo që ne festonim dikur, sepse ju jetoni më mirë. Ju jetoni në një Shqipëri më të bukur, jetoni çaste, dhe këtë do e kuptoni ndoshta më vonë, kur ju të rriteni edhe më shumë, që Shqipëria, të gjithë shqiptarët, edhe fëmijët, do të jenë si të gjithë qytetarët evropianë. Kështu që ky është një moment shumë i bukur, shumë emocionues.

E kam thënë dhe herë tjetër që kur të rriteni dhe të jeni qytetarë të denjë të Shqipërisë dhe të Evropës, ju duhet që të mos i ndaheni librit asnjëherë! Ju jeni në kontakt me librin në çdo ditë të shkollës. Libri ju shoqëron në çdo moment të ditës, por edhe kur të shkoni me pushime ju nuk duhet ta ndani librin! Është një libër i natyre tjetër, ato libra që ju japin ju kënaqësi, që ju tregojnë për jetën, ju tregojnë për gjithçka që është interesante për botën që na rrethon.

Ju duhet të dini edhe të studioni, edhe të luani, edhe të shikoni televizion, të shikoni emisione edukative dhe besoj që ky është një mësim, që jua kanë dhënë dhe mësuesit. Por sot, unë e them me forcë dhe me shumë dashuri në të njëjtën kohë që ju duhet të jeni të sjellshëm, jam i bindur që jeni të tillë, të jeni të edukuar, t’i doni mësuesit, t’i doni prindërit, ta doni Shqipërinë dhe të jeni të gatshëm që nesër të shkoni në drejtime të ndryshme, të punoni në sektorë nga më të rëndësishmit të ekonomisë së Shqipërisë, të institucioneve të Shqipërisë! Vitet kalojnë shumë shpejt dhe ju do i kujtoni këto fjalë që po them sot. Vitet kalojnë shpejt dhe po aq shpejt ju do e shikoni veten përballë sfidave të rëndësishme të jetës. Sot vërtet disa janë shumë të vegjël e ata do e kujtojnë me mjaft nostalgji 1 Qershorin, por kur të rriteni do e shikoni që jeta është më komplekse.

Por, ajo që është më e rëndësishme sot është që ta festoni këtë ditë, ta gëzoni së bashku me shoqet dhe shokët, ta gëzoni këtë festë me mësuesit që ju shoqërojnë sot dhe një nderim i veçantë në ditën e 1 Qershorit është për ata që ju kanë edukuar çdo ditë, për mësuesit që unë jam i bindur se ju duan dhe i doni shumë. Ende unë i kam të freskëta në kujtimet e mia të gjithë mësuesit dhe njëra prej tyre është këtu e pranishme. Me shumë respekt i kujtoj. Ju gjatë gjithë jetës vërtet mund të jeni në drejtime nga më të ndryshmet, por asnjëherë nuk do i harroni mësuesit tuaj, sepse janë ata që ju kanë mësuar të shkruani, të studioni, të jeni të sjellshëm, të jeni të edukuar dhe të bëheni të zotë për veten dhe për familjet tuaja.

Urimet më të mira për ju, për prindërit tuaj, për mësuesit! Urime për të gjithë fëmijët në të gjithë Shqipërinë dhe kudo ku flitet shqip në Kosovë, Maqedoni, në Mal të Zi, në të gjithë diasporën! Urimet më të mira për këtë ditë kaq të gëzuar!”

Me këto fjalë përshëndetëse Presidenti Topi iu drejtua fëmijëve sot dhe më pas, në shoqërinë e Zonjës së Parë ndoqi një program të shkurtër me vjersha dhe këngë të përgatitura nga vetë fëmijët për këtë ditë. Pas fotografive me Presidentin e Republikës dhe Zonjës së Parë në kujtim të kësaj dite, fëmijëve iu shpërndanë dhe dhuratat simbolike të festës së tyre.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›