E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri i Ekonomise ne forumin e biznesit ne Paris

Potencialet konkrete në sektorët strategjik të ekonomisë, si energjetika, minierat, infrastruktura, veçanërisht ajo hekurudhore, turizmi e bujqësia janë ekspozuar në Paris nga ana e ministrit të Ekonomisë, Edmond Haxhinasto. Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Edmond Haxhinasto mori pjesë sot në forumin e biznesit të organizuar në Paris nga agjencia shtetërore franceze për promovimin e investimeve UBIFrance. Në takim ishin prezent mbi 50 koorporata dhe kompani franceze prezente aktualisht dhe të interesuara për tregun shqiptar. Ishin prezent gjithashtu deputeti Le Borgu, senatori Berson, ambasadorja franceze Moro, etj.
Ndalur në këto sektorë, Haxhinasto përmendi projektet e mëdha energjetike që ka vendi si Vjosa e Skavica, që do ta kthejë Shqipërinë në një eksportues të energjisë elektrike, si dhe për projektin  TAP, i cili do të rrisë sigurinë energjetike të vendit.
Në prezantimin e tij, ministri Haxhinasto u shpreh se ekzistojnë mundësi të mëdha për biznesin francez për të rritur më tej prezencën në ekonominë shqiptare. Ai foli për mundësitë e mëdha që ofron Shqipëria për investitorët e huaj, në drejtim të pozicionit të saj gjeografik, të aksesit dhe të integrimit me tregun rajonal, të resurseve natyrore e njerëzore që ka vendi, si dhe të garancisë dhe sigurisë që ofron si vend anëtar i NATO dhe vend që aspiron për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Më pas, ministri Haxhinasto bëri një paraqitje të politikave ekonomike e fiskale dhe lehtësive që ofron ekonomia shqiptare, të cilat kanë bërë të mundur që vendi të ketë një rritje të qëndrueshme ekonomike dhe rritjen e konkurrueshmërisë së saj.
Po kështu, Haxhinasto iu përgjigj interesit të shumtë të pjesëmarrësve, të cilët paraqitën projektet e tyre për investime në ekonominë shqiptare.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›