E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ministri i Jashtëm: Franca nuk është bashkëpunëtore në veprimet izraelite në Gaza

Ministri i Jashtëm francez Jean Noel Barrot hodhi poshtë të premten akuzat se Parisi ka qenë bashkëpunëtor në krizën humanitare në Gazë, duke këmbëngulur se vendi ka ndërmarrë hapa aktivë që nga fillimi i ofensivës së Izraelit në Gazë në tetor 2023.

“Franca, ashtu si vendet e tjera, mund të jetë dukur e pafuqishme, por ne kurrë nuk kemi qenë bashkëpunëtorë në masakrat e kryera në Gazë nga qeveria (e Benjamin) Netanjahut (e Izraelit)”, tha Jean Noel Barrot gjatë një interviste për radion franceze RTL, duke iu përgjigjur kritikave se Franca nuk ka bërë mjaftueshëm.

Ai kujtoi se Franca priti konferencën e parë ndërkombëtare për ndihmën humanitare për Gazën, vetëm një muaj pasi filloi lufta, duke mbledhur 1 miliardë euro në mbështetje.

Gjithashtu, ministri i Jashtëm vuri në dukje se Franca ishte kombi i parë perëndimor që vendosi një transportues helikopterësh pranë Gazës për të ofruar ndihmë mjekësore për civilët.

“Franca është gjithashtu një nga vendet e rralla që mbështet në mënyrë aktive Autoritetin Palestinez”, tha ai.

Ai argumentoi se nëse të gjitha vendet do ta kishin miratuar qasjen e Francës, situata në Gaza mund të kishte qenë ndryshe. “Nëse të gjithë do ta kishin ndjekur shembullin e Francës, ne nuk do të ishim këtu.”

Duke iu përgjigjur vërejtjeve të mëparshme që sugjeronin se Gaza ishte bërë një “varrezë”, ai vuri në dukje se kritikat tani po vijnë nga vetë Izraeli.

“Ish-kryeministrat izraelitë, përfshirë Ehud Barakun, tani po flasin për një luftë të paligjshme shkatërrimi”, tha ai, duke krahasuar qëndrimin e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu me atë të presidentit rus Vladimir Putin.

Pavarësisht akuzave, ai pranoi se qeveria izraelite ka bërë vetëm lëshime të kufizuara nën presion.

“Ata rihapën aksesin në ndihmë humanitare, por në një mënyrë të pamjaftueshme dhe të militarizuar”,  tha ministri i Jashtë, francez duke theksuar se vendimi i Izraelit për të kontrolluar shpërndarjen e ndihmës në vend që t’u lejojë punonjësve humanitarë ta menaxhojnë atë, ka çuar në “kaos, trazira dhe dhunë vdekjeprurëse”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›