E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri i Jashtëm, Hyseni kërkon liberalizim të vizave edhe për Kosovën

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni në takimin e zhvilluar me delegacionin nga Komisioni për Punë të Jashtme dhe Komunitete të Parlamentit të Italisë, kryesuar nga Stefano Stefani, ka kërkuar liberalizimin e vizave dhe për Kosovën. Gjatë takimit, ministri Hyseni dhe parlamentarët italianë folën për shumë çështje që kishin të bënin me Kosovën,

progresin e saj, zhvillimet e brendshme si dhe raportet me Serbinë. Hyseni kërkoi nga bashkëbiseduesit e tij, që Kosova as të mos përjashtohet nga procesi i liberalizimit të vizave dhe as të mos vonohet më shumë se vendet e tjera në përfshirjen e saj në këtë proces. Procesi i liberalizimit të vizave, ndërlidhet me çështje të natyrës teknike, për çka edhe nuk ka pse të kthehet e të ndërlidhet me çështje të natyrës politike, theksoi ministri Hyseni. Ndërsa potencoi qëndrimin e qartë të qeverisë së Kosovës për ndërtimin e marrëdhënieve të mira me të gjithë fqinjët, ministri i siguroi parlamentarët italianë se, të njëjtin qëndrim dhe interes Kosova ka edhe për marrëdhënie të mira me Serbinë. Por, qëndrimi i prerë i institucioneve të Kosovës është se janë të papranueshme skenarët për rinegociata për pavarësinë apo për ndarjen e Kosovës. Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, theksoi mes të tjerash ministri Hyseni. Të njëjtin mendim me ministrin e jashtëm të Kosovës ndau edhe kryesuesi i delegacionit, Stefano Stefani, i cili pohoi që në krye se realiteti në Kosovë është i pakthyeshëm.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›