Spitali i Vlorës pa gjak, pacientët në mëshirë të familjarëve
Mungesa e gjakut në bankën e gjakut në spitalin rajonal në Vlorës tashmë nuk është sekret që e dinë vetëm mjekët e saj. Këtë fakt e bën me dije vetë drejtori i këtij spitali, Besnik Elezi, i cili thekson se ka disa kohë që mungon gjaku në këtë bankë. Kjo mungesë ka ardhur sis rezultat i largimit të vazhdueshëm të dhuruesve vullnetarë të gjakut. Sipas Elezit, kjo bankë
është detyruar në disa raste aksidentesh të marrë gjak në spitalet fqinjë apo janë detyruar të afërm të të aksidentuarve që kanë të njëjtin grup gjaku për të dhuruar për të afërmit e tyre. Mbarimi i ambienteve të reja të kësaj banke nuk po shoqërohet edhe me pasurimin e saj me gjak. Nga kjo bankë, në bashkëpunim me Kryqin e Kuq janë organizuar herë pas here fushata sensibilizuese për dhurim gjaku, por në pak raste kanë qenë prodhimtarë. Më së shumti, pasurimi i kësaj banke gjaku është bërë përmes aksioneve nëpër shkollat e ndryshme apo në repartin e ushtrisë në Bonavi, por mesa duket edhe këto aksione nuk mund të zhvillohen pambarimisht.
V. Sako