Ministri i Jashtëm çek Schwarzenberg vlerëson suksesin e dukshëm të reformave të ndërmarra nga qeveria në 3 vjet
Kryeministri Berisha priti sot në takim Ministrin e Jashtëm të Çekisë, z. Karel Schwarzenberg.
Të dy personalitetet vlerësuan nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve politike mes dy vendeve dhe inkurajuan zgjerimin dhe forcimin e marrëdhënieve ekonomike.
Ministri i Jashtëm çek shprehu mbështetjen e Çekisë për integrimin e Shqipërisë në NATO dhe në Bashkimin Europian. Zoti Schwarzenberg theksoi se Çekia mbetet e angazhuar të mbështesë Shqipërinë në përpjekjet e saj integruese, duke u bazuar në rezultatet e shkëlqyera të reformave në vend.
Ministri i jashtëm çek u shpreh se integrimi europian i Ballkanit Perëndimor do të jetë ndër prioritetet e presidencës çeke të BE-së. Nuk mund të flitet për Bashkimin Europian, pa integrimin e Ballkanit Perëndimor në të, u shpreh z. Schwarzenberg, duke nënvizuar se kjo është në interes jo vetëm të rajonit, por edhe të Europës. Në këtë drejtim, z. Schwarzenberg tha se Shqipëria është në rrugën e duhur, për shkak të suksesit të dukshëm të reformave. Arritjet e jashtëzakonshme të qeverisë shqiptare janë një shembull i qeverisjes së mirë.
Kryeministri Berisha theksoi se integrimi europian mbështetet nga 95 për qind e shqiptarëve dhe se qeveria shqiptare po bën të gjitha përpjekjet për të përmbushur standardet e duhura në këtë drejtim si, pasaportat biometrike, kartat e identitetit, kontrollin e integruar të kufijve, etj.
Kryeministri Berisha e njohur zotin Schwarzenberg me zhvillimet dhe progresit të vendit në këto 3 vjet. Shqipëria ka vuajtur nga pasojat e krimit të organizuar dhe për këtë, qeveria shpalli luftë me zero tolerancë ndaj këtij fenomeni. Si rezultat këtyre përpjekjeve, u shpreh Kryeministri, në tre vjet Shqipëria u shndërrua në një vend të sigurt dhe ajo tashmë ka indeksin më të ulët të kriminalitetit në Europë.
Gjithashtu, Kryeministri u fokusua në luftën e vendosur të qeverisë ndaj korrupsionit. Kryeministri nënvizoi se, ndër masat e para të ndërmarra nga qeveria ishin nxjerrja e administratës nga konflikti i interesit, eliminimi i monopoleve, heqja e prokurimeve direkte dhe vendosja e prokurimeve elektronike, taksat on-line, ulja e taksave, vendosja e taksës së sheshtë, etj.
Kryeministri tha se reformat e suksesshme të ndërmarra nga qeveria bënë të mundur krijimin e një klime pozitive për investimet e huaja. Kryeministri vlerësoi faktin që kompania çeke “Chez” është fituese tenderin e privatizimit të OSSH-së dhe shprehu besimin se prezenca e kësaj kompanie do të nxisë edhe sipërmarrje të tjera çeke për të investuar në Shqipëri. Edhe ministri i Jashtëm çek u shpreh se prania e kompanisë Chez në Shqipëri është një sinjal i fortë për investitorët e tjerë çekë.
31/10/2008