Ministri i Jashtëm i Sllovakisë: Perëndimi dhe Rusia duhet të rinisin dialogun mes tyre

Ministri i Jashtëm sllovak Juraj Blanár i ka bërë thirrje Perëndimit të “falë gjithçka që ka ndodhur” për t’i dhënë fund pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
Sllovakia dhe Hungaria i kanë vënë veton paketës së 18-të të sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë një javë më parë, duke përmendur nevojën për t’u mbështetur në importet ruse të energjisë.
Blanár argumentoi për mediat sllovake se pushtimi i Ukrainës nga Moska nuk mund të përfundojë ushtarakisht dhe bëri thirrje për dialog diplomatik me Moskën, e cila nisi pushtimin në shkallë të plotë në vitin 2022, i cili është ende duke vazhduar.
“Le të kthehemi te respekti për ligjin ndërkombëtar dhe të kërkojmë mënyra për të komunikuar me Federatën Ruse”, tha Blanár.
Blanár më pas vazhdoi sugjeroi që Perëndimi ta “falë” Moskën për pushtimin dhe gjithçka që ai përfshin.
“Dhe ndoshta edhe të falë gjithçka që ka ndodhur”, shtoi Blanár.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës Andriy Sybiha e kritikoi deklaratën e Blanár dhe tha se “ata që nuk kanë humbur askënd në këtë luftë nuk kanë të drejtë të bëjnë deklarata të tilla”.
“Është naive të presësh që një kriminel të ndalet nëse krimi i tij falet në vend që të ndëshkohet. Rusia do të të godasë edhe në faqen tjetër. Dhe ata që nuk kanë humbur askënd në këtë luftë nuk kanë të drejtë të bëjnë deklarata të tilla”, tha Sybiha në X.
Pushtimi i Moskës është shënuar nga një sërë akuzash për krime lufte – nga masakra e Bucha në fillim të vitit 2022 deri te sulmet e vazhdueshme me dronë në Kherson, të përshkruara si një “safari njerëzor” dhe të dënuara në një raport të OKB-së si sulme pa dallim ose joproporcionale ndaj civilëve.
Më 20 qershor, Moska hodhi poshtë përsëri të gjitha thirrjet për armëpushim.
“Tani kemi një avantazh strategjik. Pse duhet ta humbasim? Nuk do ta humbasim. Po ecim përpara. Po ecim përpara dhe do të vazhdojmë të ecim përpara”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, gjatë një interviste me Sky News të publikuar të premten.
Më parë, Rusia tha se do të ndalonte luftimet vetëm nëse përmbusheshin kushte të caktuara – duke përfshirë tërheqjen e plotë të forcave ukrainase nga katër rajone të pushtuara, ndalimin e mbështetjes ushtarake perëndimore, fundin e mobilizimit dhe heqjen e ligjit ushtarak në Ukrainë.
/rtsh.al/