E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shtyrja e seancës së dosjes ‘Partizani’-Ngjela: Berisha të shkojë në gjyq, të mos fshihet

Avokati i njohur Spartak Ngjela ka deklaruar në një intervistë për RTSH1 se ish-kryeministri Sali Berisha nuk duhet të fshihet por të paraqitet në gjyqin për aferën e privatizimit të ish-kompleksit sportiv ‘Partizani’.

Sipas Ngjelës, Berisha duhet të paraqitet në gjyq, të bëjë mbrojtjen dhe të ruajë dinjitetin si ish-president.

“Këta janë të akuzuar por mbrojtjen e kanë të dobët. Duhet të paraqitet në gjyq të bëjë mbrojtjen. Mbrojtja është individuale. Nëse nuk mbrohesh dot dhe diskreditohesh, kjo është gjë tjetër, por pafajësinë duhet ta fitosh vetë. Unë e kuptoj që ai ka rënie psikike sepse është nën akuzë me gjithë familjen, por personaliteti ruhen çfarëdo që të ndodhë.  

Është dinjitet të jesh ish-president, pavarësisht se këta janë presidentë që vijnë nga Partia e Punës.  Të tjerët janë mbrojtur para pushkatimit, po flas për burrat e shtetit. Megjithatë, të shohim ku do të shohim ku do të shkojë çështja.  I pandehuri ka të drejtë të mbrohet me çdo mjet, por duhet të ruajë dinjitetin. Si fshihet ish-presidenti, ka drejtuar popullin, jo vetëm ka drejtuar popullin, por janë shkatërruar 500 uzina dhe fabrika në Shqipëri”, tha Ngjela.

I pyetur nëse dosja ‘Partizani’ për të cilin akuzohet ish-kryeministri Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, po zvarritet nga vetë sistemi i drejtësisë duke qenë se Berisha nuk ka marrë në dorë fletëthirrjen për seancën e ditës së sotme, Ngjela tha se ‘e zgjidhin ndryshe, me procedurë, të shkojë polici dhe t’ia japë në dorë. Nuk diskutohet kjo, do ta thërrasin si të pandehur dhe t’ia japin në dorë’

“Këtu flitet e ka marrë apo jo fletëthirrjen Saliu, t’i qëndrojmë logjikës juridike, këta nuk ia kanë dërguar Saliut, se nuk e gjejnë dot, ia kanë dhënë dhëndrit, dhëndri thotë nuk e gjeta, gjykata nuk e provon dot, ja e shtynë këtë po tjetra? Tjetrën e zgjidhin ndryshe, me procedurë, të shkojë polici dhe t’ia japë në dorë. Nuk diskutohet kjo, do ta thërrasin si të pandehur dhe t’ia japin në dorë”, u shpreh më tej Ngjela.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›