E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri i Shtetit për Koordinimin, Marko Bello, mbajti sot një deklaratë në emër të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, mbi raportin vjetor të proçesit të Stabilizim-Asociimit në BE

Ministri i Shtetit për Koordinimin, Marko Bello, mbajti sot një deklaratë në emër të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, mbi raportin vjetor të proçesit të Stabilizim-Asociimit në BE.

Në këtë deklaratë thuhet:

Pasi u njoh dhe vlerësoi Raportin Vjetor të përgatitur nga Komisioni Evropian mbi ecurinë e procesit të Stabilizimit dhe Asocimit në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe në Shqipëri, për vitin 2003, Qeveria e Republikës së Shqipërisë gjen rastin të falenderojë e të përshëndesë publikisht Drejtuesit e lartë të Komisionit Europian dhe stafeve përkatëse për bashkëpunimin e suksesshëm, qëndrimin konstruktiv dhe konkluzionet objektive, realiste e motivuese.

Qeveria, krahas bashkëpunimit me Komisionin Evropian, mbetet e vendosur dhe e angazhuar qartësisht për të rritur bashkëpunimin edhe me të gjithë vendet anëtare, të cilat kanë shprehur mbështetjen e qartë politike dhe asistencën e vazhdueshme për integrimin europian të Shqipërisë.

Qeveria Shqiptare gjykon se ky raport vjetor monitorues do të ndihmojë për t'i dhënë një shtytje procesit të thellimit të reformave dhe përmirësimit të mëtejshëm të cilësisë dhe shpejtësisë së procesit të integrimit, përmes identifikimit dhe adresimit më të qartë të çështjeve dhe problemeve në funksion të përmbushjes, brenda një kohë sa më optimale e në vijueshmëri të standarteve evropiane.

Qeveria Shqiptare vëren me kënaqësi se në raport pasqyrohet me objektivitet progresi i bërë nga Shqipëria në fusha të ndryshme ekonomike dhe shoqërore të tilla si: stabiliteti makro-ekonomik, ecuria e procesit të privatizimit, bashkëpunimi rajonal, parafimi i Marrëveshjes së Ripranimit Shqipëri-BE, lufta kundër trafiqeve te paligjshme, etj. Gjithashtu, ajo vlerëson me mirëkuptim të plotë pasqyrimin e nevojës për një angazhim në rritje progresive në fushën e rendit e të drejtësisë, të luftës kundër krimit të organizuar e korrupsionit, kontrollit dhe menaxhimit më të mirë të kufijve, e bindur se trajtimi adekuat i tyre për arritjen e standarteve të nevojshme krahas shprehjes së një vullneti të qartë politik do të shoqërohet me veprime më aktive e intensive nga Qeveria dhe mbarë shoqëria shqiptare, në funksion të rritjes së shkallës së implementimit, forcimit të mëtejshëm të kapaciteteve administrative dhe gjenerimit të rezultateve të dukshme e të prekshme.

Qeveria Shqiptare konstaton se vërejtjet e raportit përputhen plotësisht me prioritetet e identifikuara dhe të bëra publike edhe nga vetë Qeveria. Ajo gjen rastin të rikonfirmojë edhe njëherë vullnetin e saj politik dhe angazhimin e të gjithë administratës publike për të shpejtuar reformat si dhe për të trajtuar me përgjegjësi e profesionalizëm problematikën e identifikuar nga Raporti. Qeveria angazhohet me vendosmëri dhe me një vullnet të shprehur politik për të trajtuar pa vonesë çështjet kyçe të identifikuara në këtë raport, si brenda strukturave qeveritare, ashtu edhe më tej, në bashkëveprim me Parlamentin, institucionet e tjera të shtetit dhe shoqërinë civile. Qeveria është e ndërgjegjëshme që reforma ka pasur edhe ngadalësim, që siç theksohet edhe në raport ka ardhur nga vështirësitë e brendshme dhe nga një opozitë përherë e më obstruksioniste.

Qeveria përshëndet përgatitjen e dokumentit të Partneritetit Evropian për Shqipërinë, i cili do të shoqërojë Raportin e Procesit të Stabilizimit dhe Asocimit, si një element që dëshmon për një stad të ri cilësisht më të avancuar në procesin integrues të vendit, në vijim të vendimeve të Samitit të Selanikut. Qeveria Shqiptare shpreh besimin se Partneriteti Evropian do ta ndihmojë në mënyrë efektive dhe të matshme në trajtimin e problematikës së identifikuar gjatë punës së përbashkët me Komisionin Evropian dhe vendet anëtare të BE-së. Ajo ka filluar tashmë punën për përgatitjen e matricës që dikton ky format i ri bashkëpunimi me Komisionin Evropian dhe do të ndjekë me shumë seriozitet realizimin në kohë e cilësi të të gjithë të indikatorve të përcaktuar në matricën e masave shoqëruese që do të hartojë qeveria në përgjigje të Raportit dhe dokumentit të Partneritetit Europian.

Duke vlerësuar me objektivitet gamën dhe formatin e gjerë të bashkëpunimit me Bashkimin Evropian, Qeveria Shqiptare është e bindur se me punën e saj po krijon kushtet e nevojshme për të mbyllur negociatat për Marrëveshjen e Stabilizimit dhe Asocimit në kohën e duhur dhe me ritmin e duhur.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›