Gjermania mbështet Shqipërinë në rrugën e integrimit në BE dhe NATO
Kryeministri Berisha priti sot në mesditë zotin Kurt Rossmanith, kryetar i Grupit Parlamentar të Hapësirës Ajrore në Bundestagun gjerman dhe zotin Manfred Dumann, anëtar i parlamentit të Bavarisë dhe anëtar i Forumit Drejtues të Hapësirës Ajrore.
Parlamentarët gjermanë shprehën vlerësimin për zhvillimin e vendit dhe përkrahjen e Gjermanisë për integrimin e Shqipërisë në BE dhe NATO. Në mënyrë të veçantë u vlerësuan ritmet e rritjes ekonomike të Shqipërisë, tregues i qartë i rezultatit të reformave. Ata konstatuan me kënaqësi rritjen e interesit të investitorëve gjermanë për Shqipërinë.
Bashkëbiseduesit u shprehën se midis dy vendeve ekzistojnë marrëdhënie shumë të mira dhe ndanë të njëjtin vullnet për intensifikimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën ekonomike, të mbrojtjes, turizmit etj..
Kryeministri Berisha i shprehu parlamentarëve gjermanë mirënjohjen për ndihmën e çmuar dhe mbështetjen që Gjermania i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit në strukturat euroatlantike. Më tej, Kryeministri u bëri parlamentarëve një prezantim të reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare në disa drejtime kryesore si reformat ekonomike për shndërrimin e Shqipërisë në vendin më tërheqës për investimet e huaja, lufta kundër informalitetit, lufta me tolerancë zero kundër korrupsionit, trafiqeve dhe krimit të organizuar.
Duke u ndalur në zhvillimet në rajon, parlamentarët gjermanë vlerësuan rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon, në shërbim të paqes dhe stabilitetit.