Ministri izraelit jep dorëheqjen nga qeveria për shkak të marrëveshjes së armëpushimit në Gaza

Ministri izraelit i linjës së ashpër të Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir dhe dy ministra të tjerë nga partia e tij nacionaliste-fetare kanë dhënë dorëheqjen nga kabineti i kryeministrit Benjamin Netanyahu lidhur me marrëveshjen e armëpushimit të Gazës, tha partia e tyre sot.
Partia Otzma Yehudit nuk është më pjesë e koalicionit qeverisës, por ka thënë se nuk do të përpiqet të rrëzojë qeverinë e Netanyahut.
Ministri i ekstremit të djathtë ka kritikuar më parë marrëveshjen si dorëzim ndaj Hamasit dhe kërcënoi se do të jepte dorëheqjen nëse ajo miratohej.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, njoftoi se armëpushimi nuk do të hyjë në fuqi deri sa Hamasi të dorëzojë listën e pengjeve.
Nga ana tjetër, Hamasi e ka arsyetuar vonesën në dorëzimin e emrave për “arsye teknike në terren” dhe ka theksuar se është i angazhuar për marrëveshjen e armëpushimit.
Në fazën e parë të marrëveshjes, 33 nga 98 pengjet do të lirohen brenda gjashtë javëve, ndërkohë që besohet se gjysma e tyre janë ende gjallë.
Pjesa tjetër e pengjeve do të lirohet në një fazë të dytë, që do të negociohet gjatë periudhës së armëpushimit.
/vizionplus.tv