E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri për Evropën, Lidington uron Bashën: Mbani qeverinë nën përgjegjësi

TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike z. Lulzim Basha takoi sot ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Z. Nicholas Cannon. Z. Cannon uroi z. Basha, për zgjedhjen si kryetar i Partisë Demokratike dhe i ka dorëzuar mesazhin e urimit të ministrit për Evropën, David Lidington.

Ndër të tjera, në mesazhin e tij, ministri Lidington shkruan:
“I dashur Lulzim,

Dëshiroj të shpreh kënaqësinë time, që pata mundësinë t'ju takoja në darkën e organizuar në Guildhall, në maj, pasi ju kishit marrë titullin “Qytetar i Lirë” i Londrës. Dëshiroj t'ju përgëzoj për zgjedhjen tuaj, si lider i Partisë Demokratike. Marrja e lidershipit në këtë moment historik për partinë dhe vendin tuaj është nder, por gjithashtu edhe një sfidë. Opozita parlamentare mund të luajë një rol kyç, në një demokraci moderne, në njërën anë duke e mbajtur qeverinë nën përgjegjësi dhe duke ofruar alternativa dhe nga ana tjetër duke punuar për një konsensus konstruktiv, aty ku është interesi kombëtar. Do pres me kënaqësi bashkëpunimin tonë në të ardhmen, për të bërë Shqipërinë akoma edhe më shumë, një pjesë të familjes evropiane dhe aleancës euro-atlantike”.

Gjatë takimit mes kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe ambasadorit britanik Z. Nicholas Cannon u diskutua për zgjedhjet e 23 qershorit, procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe përgatitjet e PD, për një opozitë të fortë e konstruktive, në shërbim të interesit publik. 
(BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›