E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Brendshme: Policia serbe mori peng 2 policët kosovarë

PRISHTINË- Ministria e Brendshme e Kosovës ka dënuar ashpër "rrëmbimin e zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës nga ana e policies serbe".

“Pjesëtarët e Policisë së Kosovës, në momentin e kidnapimit, kanë qenë duke patrulluar në zonën e përgjegjësisë së Policisë së Kosovës dhe në asnjë moment nuk kanë tejkaluar zonën e përgjegjësisë së tyre”, thuhet në deklaratën që ka publikuar MPB-ja kosovare në web-faqen e saj zyrtare.

Sipas Ministrisë së Mbrendshme të Kosovës ky veprim i organizuar i policisë serbe dëshmon edhe një herë orientimin dhe mentalitetin agresor të shtetit serb ndaj Republikës së Kosovës.

“Përpjekjet e shtetit serb për agresion ndaj Republikës së Kosovës, përmes veprimeve të tilla, të nxitura nga ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, i cili me plot fanatizëm po dëshmohet si trashëgimtar i politikës agresore të Millosheviqit, kanë dështuar historikisht dhe do të dështojnë edhe tani”, thuhet në deklaratë.

Ministria e Punëve të Brendshme ka kërkuar nga EULEX-i dhe mekanizmat tjerë relevantë të Bashkimit Evropian të kërkojnë nga Qeveria e Serbisë lirimin e menjëhershëm të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Pjesëtarët e policisë serbe kanë arrestuar dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës në rajonin e Merdarës të shtunën paradite.
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›