Ministria e Brendshme: Qytetarët janë më të sigurtë se kurrë
TIRANE- Ministria e Brendshme ka reaguar pas akuzave të opozitës për mungesën e sigurisë në vend duke thënë se aleati kryesor i qeverisë për sa i përket sigurisë , janë qytetarët shqiptarë të cilët ndihen më të sigurtë se kurrë më parë.
“Me ardhjen e qeverisë në pushtet u bë i mundur asgjësimi i rreth 300 grupeve të krimit të organizuar dhe arrestimi i rreth 1000 anëtarëve të këtyre bandave.
Sot Shqipëria është në nivele më të ulëta kriminaliteti se edhe vetë vendet e Bashkimit Europian”- ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, në një deklaratë për gazetarët.
Sipas Ministrisë së Brendshme, akuzat e Partisë Socialiste janë tërësisht të pabazuara dhe bien në kundërshtim me gjendjen reale të sigurisë në vend. “Sot strukturat e zbatimit të ligjit brenda një kohe rekord zbulojnë deri në 95% të ngjarjeve kriminale.
Gjatë viteve të kësaj qeverisjeje nuk ka humbur jetën as edhe një punonjës i vetëm policie- ka thënë zëdhënësi i Ministrisë.
Ndër të tjera në deklaratë bëhen edhe krahasime midis nivelit aktual të sigurisë dhe asaj të disa viteve më parë nën drejtimin e opozitës. “Sot rrugët dhe territoret e vendit tonë janë pjesë e lëvizjes së lirë të qytetarëve, përkundër kontrollit të perandorisë së krimit që sundoi gjatë viteve të qeverisjes Socialiste”- kështu është mbyllur deklarata e pozitës.
(e.n/ Balkanweb )